Vapë e madhe: Të paktën 34 të vdekur nga zjarret në Algjeri, përfshirë dhjetë ushtarë - NACIONALE

Vapë e madhe: Të paktën 34 të vdekur nga zjarret në Algjeri, përfshirë dhjetë ushtarë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 34 persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur pas shpërthimit të shumë zjarreve në natyrë në pjesë të ndryshme të Algjerisë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Autoritetet regjistruan të hënën 97 zjarre në 16 provinca, duke i prekur pyjet, të mbjellat dhe tokën bujqësore, raporton televizioni BBC.

Rreth tetë mijë zjarrfikës ishin duke punuar për t’i vënë zjarret nën kontroll, thanë autoritetet. Përpos të vdekurve, 26 persona u lënduan dhe 1.500 u zhvendosën nga shtëpitë e tyre në Fenaia, Bejaia, Zbarbar dhe Bouira.

Ministria e Mbrojtjes e Algjerisë tha se dhjetë ushtarë, që po merrnin pjesë në luftën kundër zjarreve, kanë vdekur.

Zjarret më të gjera, në rajonin malor, Kabylie, në lindje të Algjerit, u përhapën në zona banimi të qytezave bregdetare, Bejaia dhe Jijel, të nxitura nga era e fortë.

Autoritetet thanë se kishin nisur një hetim gjyqësor për shkaktarët e këtyre zjarreve.

Një valë rekorde e vapës është regjistruar ditëve të fundit në pjesën veriore të Algjerisë. Temperatura në atë pjesë të vendit ka arritur deri në 48 gradë.

Temperaturat në disa rajone të Afrikës Veriore janë deri në shtatë gradë më të larta se niveli normal për këtë periudhë të vitit.

Zyra e Meteorologjisë e Algjerisë ka paralajmëruar se temperaturat mbi 48 gradë ka gjasë që të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji në pjesën veriore të vendit.

Të hënën, kompania shtetërore e rrymës dhe gazit e Algjerisë, “Sonelgaz”, tha se kishte regjistruar “kulm historik” të konsumimit të energjisë.

Lajme të ngjashme