Vaksina e parë në botë kundër kancerit të lëkurës afër realitetit, pritet të miratohet së shpejti - NACIONALE

Vaksina e parë në botë kundër kancerit të lëkurës afër realitetit, pritet të miratohet së shpejti

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Vaksina e parë e kancerit në botë është një hap më afër realitetit, pasi Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), i ka dhënë vaksinës së melanomës të krijuar nga Moderna, statusin e ilaçit 'përparues', gjë që do të thotë se mund të miratohet brenda pak mujash.

Vaksina e cila do të jepet së bashku me një ilaç imunoterapie, përdoret për të trajtuar pacientët që janë duke u shëruar nga melanoma e avancuar dhe të cilët janë në rrezik të rikthimit të tumoreve.

Bëhet e ditur se një provë e fazës së dytë ka treguar se kombinimi ka reduktuar me 44% mundësinë e rikthimit të sëmundjes ose vdekjes te pacientët, krahasuar me vetëm ilaçin e imunoterpisë, dhe se këto rezultate premtuese e kanë shtyrë FDA-në, t’i japë statusin që mund të zvogëlojë kohën që duhet për miratim në gjashtë muaj.

Kjo terapi eksperimentale përbëhet nga injeksioni i Moderna-s dhe ilaçi imunoterapik i Merck-ut Keytruda.

Etiketa e re 'përparues' që ka marrë vaksina, do të thotë që FDA beson se vaksina mund të 'adresojë nevojën mjekësore të paplotësuar në trajtimin e kushteve serioze ose kërcënuese për jetën'.

Sipas DailyMail, Moderna ende nuk e ka dorëzuar terapinë në FDA për miratim, por është duke planifikuar të nisë testin e fazës së 3-të, që kërkohet për shumicën e barnave ose vaksinave para miratimit për përdorim masiv.

Është bërë e ditur se vaksina e re përdor teknologjinë Mrna, që do të thotë përdor copa të kodit gjenetik nga tumoret e pacientëve për të mësuar trupin të luftojë kancerin. Vaksina do t’u jepet njerëzve pas operacionit për të parandaluar kthimin e tumorit dhe do të jetë e përshtatur për secilin pacient, që do të thotë se nuk do të ketë dy vaksina të njejta.

Moderna ka bërë të ditur se do të vazhdojnë të “zgjerojnë studimet” për vaksina ndaj llojeve të tjera ta kancerit, përfshirë kancerin në mushkëri.

Kujtojmë se Moderna ishte në gjendje të zhvillonte, të provonte dhe të merrte miratimin e vaksinës së saj për Covid-19, brenda një viti.

Melanoma është forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës, dhe dihet se vetëm në ShBA më shumë se një million njerëz janë të prekur. Ndërsa, sipas të dhënave rreziku gjatë gjithë jetës i kontraktimit të melanomës është rreth 2.6 për qind (një në 38) për të bardhët, 0.1 për qind (një në 1000) për njerëzit me ngjyrë dhe 0.6 për qind (një në 167) për hispanikët.

Lajme të ngjashme