Ushtritë e NATO-s të papërgatitura për luftëra me dronë, paralajmëron komandanti ukrainas
Forcat e armatosura të NATO-s nuk janë të gatshme për një luftë moderne me dronë, paralajmëroi komandanti ukrainas i forcave me sisteme pa pilotë, tri vjet pas fillimit të një konflikti me Rusinë në të cilin të dyja palët po bëjnë përpjekje që të sigurojnë epërsi teknologjike.
Duke folur në një zyrë të mobiluar rishtazi për Forcat e Sistemeve pa Pilotë, lokacioni i së cilës agjencisë “Reuters” iu kërkuar të mos zbulohej, komandanti i këtyre forcave, Vadym Sukharevskyi, tregoi për ritmin e shpejtë me të cilin ka avancuar lufta me dronë që nga fillimi i pushtimit rus më 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nga ajo që unë shoh dhe dëgjoj, asnjë ushtri e NATO-s nuk është në gjendje që t’i rezistojë turmës së dronëve” – tha ai, duke shtuar se aleanca duhet ta njohë epërsinë ekonomike të dronëve, të cilët shpesh kushtojnë shumë më pak sesa prodhimi i armëve tradicionale që nevojiten për rrëzimin e tyre.
“Është thjesht matematikë elementare. Sa kushton një raketë që rrëzon një (dron të tipit) Shahed (të forcave ruse)? E sa kushton që të dislokohet një anije, një aeroplan e një sistem i mbrojtjes ajrore për të shkrepur drejt tij” – pyeti komandanti ukrainas.
Dronët me rreze të gjatë mund të kushtojnë vetëm disa mijëra dollarë për modelet më të thjeshta karrem, edhe pse dronët sulmues “Shahed” vlerësohet se kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë. Megjithatë, raketat penguese të mbrojtjes zakonisht kanë çmime gjashtë ose shtatëshifrore dhe shumë shtete kanë vetëm rezerva të kufizuara, duke e bërë kështu përdorimin e tyre shumë joekonomik.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 2022, ka ndodhur një zgjerim i madh i përdorimit të dronëve. Ukraina thotë se ka prodhuar 2,2 milionë dronë të vegjël të tipit FPV dhe 100 mijë të tjerë më të mëdhenj e me rreze të gjatë më 2024. Rusia më parë ka dhënë vlerësime se do të prodhonte 1,4 milion dronë FPV po atë vit.
“Tani për tani, madje edhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës thotë se mbi 60 për qind e caqeve shkatërrohen përmes dronëve” – tha Sukharevskyi.
“Pyetja e vetme është se si do të zhvillohen taktikat e përdorimit të tyre dhe, pas kësaj, aspekti teknologjik” – shtoi ai./Nacionale