Ushtria ukrainase thotë se ka përparuar për mbi një kilometër afër Bakhmutit - NACIONALE

Ushtria ukrainase thotë se ka përparuar për mbi një kilometër afër Bakhmutit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina tha të premten se trupat e saj kanë përparuar për më shumë se një kilometër afër qytetit lindor, Bakhmut, gjatë 24-orëshit të fundit të luftimeve kundër forcave ruse.

“Forcat mbrojtëse vazhdojnë që ta mbajnë iniciativën atje, duke i vënë presion armikut, duke kryer operacione sulmuese, duke përparuar përgjatë krahëve veriorë dhe jugorë”- tha Serhiy Cherevatyi, zëdhënës i Komandës Ushtarake Lindore, raporton agjencia “Reuters”.

“Në veçanti, gjatë ditës së kaluar, ata kanë përparuar për më shumë se një kilometër”- tha zëdhënësi ukrainas.

Komandanti i Forcave Tokësore të Ukrainës, Gjeneral Oleksander Syrskyi, gjithashtu tha se trupat ukrainase ishin duke lëvizur përpara në drejtim të qytetit Bakhmut.

“Forcat mbrojtëse janë duke bërë progres dhe duke përparuar”- tha ai, duke shtuar se një pjesë e territorit është rimarrë nën kontroll, pa dhënë hollësi.

Një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm tha se forcat ukrainase kanë pasur “sukses të pjesshëm” afër fshatit Klishchiivka, në jugperëndim të Bakhmutit.

Analistët ushtarakë ukrainas kanë thënë se sigurimi i këtij fshati do ta ndihmonte Ukrainën që ta kthejë nën kontroll Bakhmutin, i cili u kap nga forcat ruse në maj pas luftimeve të gjata disa muaj.

Agjencia ruse e lajmeve, RIA, ka cituar një burim të ushtrisë ruse të ketë thënë këtë javë se forcat ruse kishin zmbrapsur një sulm ndaj fshatit Klishchiivka dhe se ishin duke i mposhtur trupat e mbetura ukrainase në atë zonë.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që ta vërtetojë gjendjen në fushën e betejës.

Ukraina thotë se ka rimarrë nën kontroll disa fshatra në pjesën jugore të vendit që nga fillimi i kundërsulmit, por Rusia ende mban pjesë të mëdha të territoreve lindore e juglindore të Ukrainës.

Lajme të ngjashme