Ushtria ukrainase raporton për përparime të reja kundër rusëve afër Bakhmutit
Forcat kundërsulmuese ukrainase kanë përparuar deri në 1.400 metra në një numër sektorësh të vijës së frontit afër qytezës Bakhmut gjatë ditës së kaluar, tha të shtunën një zëdhënës i ushtrisë ukrainase.
Ky përparim është më i riu në një varg avancimesh të ngjashme për të cilat është raportuar këtë javë nga Kievi afër Bakhmutit, për të cilin Rusia tha se e kishte kapur plotësisht muajin e kaluar pas betejës më të përgjakshme dhe më të gjatë që nga fillimi i luftës në shkurtin e vitit të kaluar, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne po mundohemi... që të kryejmë sulme ndaj armikut, po kundërsulmojmë. Kemi arritur që të përparojmë deri në 1.400 metra në sektorë të ndryshëm të frontit”- tha zëdhënësi i komandës lindore ushtarake, kur u pyet për luftimet afër Bakhmutit.
Zyrtari i quajtur Serhiy Cherevaty tha në komentet e transmetuara në televizion që forcat ruse edhe vetë po mundohen që të kundërsulmojnë, por se nuk kanë qenë të suksesshme.
Sipas tij, forcat ukrainase u kanë shkaktuar pasoja të rënda trupave ruse dhe se i kanë shkatërruar pajisjet ushtarake në zonë.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që ta vërtetojë këtë vlerësim ose situatën në fushën e betejës.
Rusia, e cila ka ndërtuar fortifikata në pjesët e pushtuara në lindje dhe në jug të Ukrainës, tha këtë javë se nisma e Ukrainës ka dështuar që t’i thyejë vijat ruse.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se forcat ukrainase kanë depërtuar nëpër vijën e parë të mbrojtjes ruse në disa zona, por se përparimi i Kievit ka qenë më i ngadalshëm në pjesë të tjera.

