Scholz-i thotë se planifikon të flasë me Putinin së shpejti
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha të shtunën se planifikon që të flasë së shpejti përmes telefonit me presidentin rus, Vladimir Putin, për ta nxitur atë që t’i tërheqë trupat nga Ukraina.
Duke folur në një tubim të Kishës Protestante Gjermane në Nuremberg, kancelari tha se ka biseduar me Putinin përmes telefonit në të kaluarën, raporton agjencia “Reuters”.
“Planifikoj që ta bëjë këtë përsëri së shpejti”- tha ai.
“Nuk është e arsyeshme që të detyrohet Ukraina për ta miratuar dhe pranuar mësymjen që Putini e ka bërë dhe që pjesë të Ukrainës të bëhen ruse thjesht ashtu”- shtoi Scholz-i, duke thënë se do të punojë për t’u siguruar që NATO-ja të mos përfshihet në luftë.
Moska dhe Kievi raportuan për luftime të ashpra në Ukrainë të premten, por mbeti e paqartë nëse kundërsulmi i shumëpritur i Ukrainës kishte nisur.
Pritet që në kundërsulmin që si synime i ka depërtimin në mbrojtjen e Rusisë dhe dëbimin e forcave pushtuese të përfshihen mijëra trupa ukrainase, të trajnuara dhe të pajisura nga shtetet perëndimore, përfshirë Gjermaninë.
Rusia hodhi raketa e dronë në caqe të ndryshme në Ukrainë në orët e hershme të së shtunës, duke vrarë tre civilë në qytetin Odesa dhe duke goditur një fushë ajrore ushtarake në rajonin qendror, Poltava, thanë autoritetet ukrainase.
