Ushtria sudaneze e rimerr pallatin presidencial pas dy vjetëve luftë
Ushtria sudaneze e ka marrë nën kontroll pallatin presidencial në Khartoum nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, kanë thënë disa udhëheqës ushtarakë.
Në video dhe fotografi të publikuara në rrjete sociale dhe të vërtetuara nga televizioni BBC shihen ushtarë të ngazëllyer duke i valëvitur armët, duke brohoritur, e duke u ulur në gjunjë për t’u lutur.
Ushtria duket se do ta rimarrë kontrollin e kryeqytetit dy vjet pas humbjes së tij gjatë ballafaqimit me forcën paramilitare rivale të njohur si RSF (Forcat e Mbështetjes së Shpejtë). Grupi paramilitar nuk ka komentuar ende.
Zëdhënësi i ushtrisë sudaneze, Nabil Abdallah, tha në televizionin shtetëror se ushtria e mori kontrollin e pallatit presidencial dhe ndërtesave ministrore në qendër të kryeqytetit Khartoum.
“Forcat tona i shkatërruan tërësisht luftëtarët dhe pajisjet e armikut dhe konfiskuan sasi të mëdha të pajisjeve dhe armëve. Ne konfirmojmë se do t’i vazhdojmë luftimet derisa fitorja të jetë e plotë” – tha ai.
Khartoum-i është vendi ku lufta civile brutale nisi para gati dy vjetëve dhe ku janë zhvilluar disa nga betejat më të mëdha.
Forcat e Mbështetjes së Shpejtë i kanë mbajtur nën kontroll kryeqytetin si dhe pjesën perëndimore të Sudanit që nga fillimi i luftës.
Rimarrja e kryeqytetit do të ishte fitore e madhe për Forcat e Armatosura Sudaneze dhe moment kyç në konflikt. Ushtria ka shënuar avancime edhe në disa pjesë qendrore të vendit javëve të fundit./Nacionale