“Ushtria ruse ka humbur deri në gjysmën e tankeve kryesore të betejës”
Sipas një numërimi nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike (IISS), ushtria ruse ka humbur gati 40% të flotës së saj të tankeve që kishte para se të niste luftën në Ukrainë.
Ndërkohë, e kundërta mendohet se ka ndodhur me Ukrainën, ku thuhet se numri i tankeve që ka pasur mund të jetë rritur për shkak të atyre që ka kapur gjatë luftimeve dhe furnizimeve me tanke të epkoës sovjetike nga aleatët e saj perëndimorë.
John Chipman, kryetar i grupit të ekspertëve, ka thënë se lufta kishte qenë "një dështim politik dhe ushtarak për Rusinë", duke theksuar mangësitë në udhëheqje dhe mangësitë në municionet e saj, pavarësisht përpjekjeve për modernizimin e Kremlinit.
Shifrat e thinktank-ut bazohen kryesisht në imazhe me burim të hapur nga dronët, satelitët dhe në fushën e betejës, që nga fillimi i luftës deri në fund të nëntorit.
Humbjet e rënda në fushën e betejës kanë nënkuptuar se Rusia kishte humbur "rreth 50% të flotës së saj para pushtimit" të tankeve, ka thënë Chipman, duke shtuar se prodhimi i ngadaltë industrial "po detyronte Moskën të mbështetej në armët e saj të vjetra të ruajtura".
Sipas këtij vlerësimi Rusia ka pasur humbje të rënda në fillim të luftës, veçanërisht në sulmin e dështuar në Kiev, ku një numër i madh tankesh dhe automjetesh të blinduara që lëviznin në një kolonë u shkatërruan në rrugët në veri të kryeqytetit, ndërsa shumë të tjerë janë kapur ose u tërhequr nga traktorët pasi sulmi dështoi.
Kujtojmë se trupat ruse kishin parashikuar të mirëpriteshin në Ukrainë duke menduar se tanket do të përdoreshin për të organizuar një paradë në rrugët e Kievit. Por, në vend të kësaj, ato u kapën nga artileria dhe këmbësoria ukrainase duke përdorur armë antitank.

