Ushtria izraelite thotë se vrau gabimisht tri pengje në Gaza
Trupat e Forcave Mbrojtëse të Izraelit identifikuan gabimisht si kërcënim tri pengje izraelite në lagjen Shejaiya të Gazës, duke i vrarë ato, tha të premten në mbrëmje zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Ai shtoi se Forcat Mbrojtëse të Izraelit e bartin përgjegjësinë e plotë për “incidentin tragjik”, i cili ndodhi të premten në mëngjes, “në një zonë ku ushtarët hasën në shumë terroristë, përfshirë bombardues vetëvrasës”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Hagari i identifikoi pengjet e vrara si Yotam Haim, që ishte rrëmbyer nga Hamasi në Kfar Aza, Samar Fouad Talalka, që ishte rrëmbyer në Nir Am, dhe më vonë pengu i tretë u identifikua si Alon Shamriz, gjithashtu nga Kfar Aza.
Incidenti ndodhi në lagjen e Gazës ku janë zhvilluar disa prej luftimeve më të ashpra ditëve të fundit.
Udhëheqësit politikë reaguan shpejt, duke u shprehur të tmerruar për incidentin, por theksuan se ushtria izraelite do t’i zbatojë mësimet e marra dhe do ta vazhdojë ofensivën, edhe pse të afërmit e pengjeve i shtuan thirrjet për një armëpushim të ri që do të mund ta sillte lirimin e të dashurve të tyre.
Kur u pyet se si pengjet kishin arritur që të iknin nga duart e Hamasit, Hagari tha se ushtria beson që “të tre kishin ikur ose ishin braktisur nga terroristët që i mbajtën peng ata”, përderisa forcat izraelite po afroheshin.
Lagjja Shejaiya në veri të Gazës është parë si bastion i Hamasit dhe strehim për disa prej forcave elite të tij e fortifikatave më të forta. Zona ku u vranë pengjet është afër vendit të një beteje vdekjeprurëse të mërkurën, ku nëntë ushtarë, përfshirë dy komandantë të lartë, gjithashtu u vranë.
Besohet se edhe 132 pengje mbeten në Gaza – jo të gjitha të gjalla – pas lirimit të 105 civilëve nga Hamasi gjatë armëpushimit njëjavor në fund të nëntorit. Ushtria izraelite e ka konfirmuar vdekjen e 20 prej atyre që po mbahen ende nga Hamasi, duke i cituar burimet e inteligjencës dhe rezultatet e siguruara nga trupat që po operojnë në Gaza.