Ushtria iraniane thotë se është e gatshme për çfarëdo sulmi nga Izraeli - NACIONALE

Ushtria iraniane thotë se është e gatshme për çfarëdo sulmi nga Izraeli

1 javë më parë

nga NACIONALE

Irani tha të mërkurën se është ushtria e tij është e gatshme për t’iu kundërvënë çfarëdo sulmi nga Izraeli. Forca ajrore iraniane tha se është e përgatitur për veprim.

Edhe komandanti i forcave detare tha se trupat e tij janë duke i shoqëruar anijet tregtare iraniane në Detin e Kuq, raporton agjencia “Reuters”.

Irani e kreu sulmin e parë të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit fundjavën e kaluar si hakmarrje për një sulm të dyshuar izraelit ndaj një kompleksi diplomatik iranian në Damask më 1 prill.

Izraeli ka thënë se do të kundërpërgjigjet dhe kabineti izraelit i luftës pritet të takohet të mërkurën për të diskutuar rreth mundësive për veprim.

“Çfarëdo sulmi nga regjimi zionist [Izraeli] ndaj tokës sonë do të ballafaqohet me një kundërpërgjigje të ashpër” – tha të mërkurën presidenti iranian, Ebrahim Raisi, në një paradë të Ditën e Ushtrisë, sipas mediave shtetërore.

Komandanti i Forcës Ajrore të Iranit paralajmëroi në të njëjtin tubim se aeroplanët luftarakë, përfshirë ata të prodhimit rus, “Sukhoi-24”, janë në “gjendjen e tyre më të mirë të përgatitjes” për t’iu kundërvënë çfarëdo sulmi izraelit.

“Ne kemi gatishmëri të plotë në të gjitha fushat, përfshirë mbulimin ajror dhe bombarduesit, dhe jemi të përgatitur për çfarëdo operacioni” – tha Gjeneral Brigade Amir Vahedi.

Një sulm i drejtpërdrejtë ndaj bazave të Rojave Revolucionare ose objekteve kërkimore bërthamore brenda Iranit është njëri nga opsionet që Izraeli i ka për t’u kundërpërgjigjur. Të mundshme janë edhe caqet jashtë territorit të Iranit.

Admirali Shahram Irani tha se Forca Detare është duke i shoqëruar anijet tregtare iraniane në Detin e Kuq, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve, “Tasnim”.

Lajme të ngjashme