Ushtarë e policë izraelitë po informojnë grupe që sulmojnë kamionë me ndihma në Gaza - NACIONALE

Ushtarë e policë izraelitë po informojnë grupe që sulmojnë kamionë me ndihma në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa pjesëtarë individualë të forcave izraelite të sigurisë po u japin të dhëna aktivistëve të së djathtës ekstreme dhe kolonëve për vendndodhjen e kamionëve me ndihma që po dërgojnë furnizime jetike në Gaza, duke u mundësuar atyre që t’i bllokojnë dhe t’i vandalizojnë autokolonat, sipas disa burimeve.

Kolonë që po i pengojnë furnizimet humanitare jetike drejt Rripit të Gazës po pranojnë të dhëna për vendndodhjen e kamionëve me ndihma nga pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë izraelite, i tha gazetës “The Guardian” një zëdhënës i grupit kryesor të aktivistëve që qëndron prapa bllokadave.

Pretendimi për përfshirje nga anëtarë të forcave të sigurisë mbështetet nga porositë nga grupet e brendshme të bisedave në internet, që janë analizuar nga gazeta “The Guardian” si dhe nga rrëfimet e disa dëshmitarëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut.

Ata që po i bllokojnë kamionët thonë se ndihma që automjetet po e bartin po devijohet nga Hamasi, e nuk po u dërgohet civilëve që kanë nevojë, pretendim që agjencitë e ndihmave e mohojnë.

Rachel Touitou, zëdhënëse e grupit izraelit “Tzav 9”, tha se ky grup ka qenë duke bllokuar kamionë gjatë qarkullimit të tyre nëpër Izrael nga muaji janar, me arsyetimin se ndihma që po e transportonin ata “rrëmbehej” nga Hamasi porsa arrinte në Gaza.

“Kur misioni i një polici ose ushtari duhet të jetë që t’i mbrojë izraelitët dhe, në vend të kësaj, ai dërgohet për t’i mbrojtur kolonat e ndihmës humanitare- duke ditur se ajo do të përfundojë në duart e Hamasit – ne nuk mund t’i fajësojmë ata ose civilët që i vërejnë kamionët duke kaluar nëpër qytezat e tyre për ofrimin e të dhënave inteligjente grupeve që po mundohen që ta bllokojnë atë ndihmë. Po, një pjesë e inteligjencës sonë vjen nga anëtarë individualë të forcave izraelite” – shtoi zëdhënësja Touitoi.

Në disa video të publikuara javën e kaluar shihen autokolona të ndihmave duke u bllokuar e duke u vandalizuar nga kolonë izraelitë në pikën e kontrollit në Tarqumiya, në perëndim të Hebronit, në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Lajme të ngjashme