Ursula von der Leyen në rrugë të mirë për ta siguruar mandatin e dytë - NACIONALE

Ursula von der Leyen në rrugë të mirë për ta siguruar mandatin e dytë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ursula von der Leyen është në rrugë të mirë për ta siguruar mandatin e dytë si presidente e Komisionit Evropian, përderisa udhëheqësit e BE-së takohen të hënën për një diskutim për ndarjen e posteve më të larta të bllokut.

Udhëheqësit e 27 shteteve anëtare do të mblidhen në një darkë në Bruksel në takimin e parë grupor që nga dalja e rezultateve të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, nga të cilat u fuqizuan partitë nacionaliste dhe të së djathtës ekstreme dhe që e nxitën presidentin francez, Emmanuel Macron, të shpallte zgjedhje të parakohshme në vendin e tij, raporton gazeta “The Guardian”.

Në pyetje është nëse zonja Von der Leyen do të marrë një mandat të dytë si udhëheqëse e Komisionit Evropian, organ që merr nisma për ligje të BE-së dhe i zbaton ato. Udhëheqësit e BE-së do të vendosin edhe për pasardhësit e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Von der Leyen për një kohë të gjatë ka qenë kandidate favorite. Si kandidate kryesore e Partive Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, që do të jenë grupi më i madh në përbërjen e re të Parlamentit Evropian me 26 për qind të ulëseve, pozicioni i saj është përforcuar nga votat në nivel evropian.

Edhe vendimi i Macronit, që shihet si lëvizje për ta tërhequr presidentin francez nga çështjet evropiane, gjithashtu vlerësohet si ndihmë për zonjën Von der Leyen. Macroni më parë dukej sikur dëshironte që ta zëvendësonte zyrtaren e lartë me ish-kryeministrin italian, Mario Draghi, por diplomatët tashmë presin që edhe Franca të pajtohet më një mandat të ri të Von der Leyen-it.

Rundi i parë i zgjedhjeve parlamentare në Francë është më 30 qershor, pas një samiti të BE-së më 27 e 28 qershor, me të cilin synohet që të përcaktohen rolet e larta në BE. Procesi i emërimit “mund të jetë më i lehtë se që është zakonisht” – tha një diplomat i bllokut. “Mendimet janë se francezët kanë aq shumë kaos në shtëpi, saqë mund të duan që të shpenzojnë më pak kohë në këtë” – shtoi ai.

Disa të tjerë sugjeruan se fitorja e së djathtës ekstreme në Francë nënkupton që ka më pak gjasa që Macroni të zgjedhë një kandidat teknokrat, si italiani Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane.

“Nuk shoh një alternativë realiste” – tha një diplomat tjetër, duke folur për zonjën Von der Leyen. “Për tërë vërtitjen franceze për Draghin... nuk ka alternativë dhe, ndryshe nga viti 2019, asnjë ngërç që Macroni ose ndokushn tjetër mund ta shkaktojë nuk mund ta përdorë për avantazhin e vet” – shtoi ai.

Lajme të ngjashme