Uria në Afrikën Lindore shkakton vdekje "çdo 48 sekonda"
Sipas një raporti të Oxfam dhe Save The Children, në Etiopi, Kenia dhe Somalinë e shkatërruar nga thatësira, çdo 48 sekonda vdes një person, duke theksuar kështu dështimin e botës për të shmangur fatkeqësitë e parandalueshme.
Observatori Jameel, paralajmëron se bota edhe një herë po dështon të shmangë urinë katastrofike në Afrikën Lindore duke reaguar me vonesë, pas më shumë se një dekade që nga viti 2011 kur uria vrau më shumë se 260,000 njerëz në Somali - gjysma e tyre ishin fëmijë nën pesë vjeç.
Ndërsa sot, gati gjysmë milioni njerëz në pjesë të ndryshme të Somalisë dhe Etiopisë po përballen me kushte të ngjashme. Në Kenia janë 3.5 milionë njerëz që vuajnë nga uria ekstreme.
Sipas raportve, Politics shkruan se numri i njerëzve që përjetojnë uri ekstreme në të tre vendet është dyfishuar që nga viti i kaluar – nga 10 milionë në më shumë se 23 milionë. Megjithatë, ankesat urgjente nuk financohen.
Kushtet klimatike që kanë shkaktuar thatësirë, bashkë me konfliktet të cilat detyrojnë njerëzit të ikin nga shtëpitë e tyre dhe trazirat e shkaktuara nga Covid-19, e kanë bërë të pamundur përballimin e kësaj gjendjeje.
Në këtë situatë ka ndikuar gjithashtu edhe konflikti në Ukrainë, që ka çuar në një rritje të çmimeve të ushqimeve në nivelin më të lartë ndonjëherë.
Shefi i Oxfam, John Plastow është shprehur se, “megjithë shenjat paralajmëruese përkeqësuese me kalimin e kohës, liderët botërorë janë përgjigjur në mënyrë të mjerë – shumë vonë dhe ende shumë pak – duke lënë miliona njerëz të përballen me urinë katastrofike.”
Ndërsa, zëdhënësi rajonal i Save the Children për Afrikën Lindore dhe Jugore, Shako Kijala, tha se: “Ne po shohim nivele të tmerrshme të kequshqyerjes me 5.7 milionë fëmijë të kequshqyer në mënyrë akute. Me paralajmërimin e OKB-së se më shumë se 350,000 persona mund të vdesin në Somali nëse nuk veprohet, koha po ikën shpejt. Çdo minutë që kalon është një minutë më afër vdekjes së mundshme të fëmijëve. Si mund të jetojmë me këtë nëse e lejojmë të ndodhë përsëri?”
Në këtë gjendje ato që janë të prekura më shumë janë gratë, pasi reduktojnë ushqimin e tyre për të ushqyer të tjerët dhe gjatë kryerjes së punëve të pasigurta apo migrimeve përballen me rreziqe të tilla si dhuna më baza gjinore.
Kjo krizë po shpaloset në sfondin e borxheve kombëtare të Somalisë, Etiopisë dhe Kenias të cilat janë trefishuar në më pak se një dekadë – nga një borxh i kombinuar për të tre vendet prej 20.7 miliardë dollarë në 2012 në vitin 2020 ka arritur në 65.3 miliardë dollarë, duke thithur kështu burimet dhe duke i çuar vendet buzë falimentimit.
Për t'i bërë gjërat edhe më keq, prej një kërkese të OKB-së prej 4.4 miliardë dollarësh për këto vende, deri më tani zyrtarisht janë financuar vetëm dy për qind (93.1 milionë dollarë).
Oxfam dhe Save the Children po vazhdojnë të bëjnë thirrje për liderët e G7-ës dhe perëndimit, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, që të financohet kërkesa e OKB-së, në mënyrë që të sigurohen paratë dhe të përdoren aty ku është e nevojshme.