Urdhri i Trumpit ua anulon fluturimet mbi 1.600 afganëve që u ishte lejuar vendosja në ShBA
Gati 1.660 afganë që u ishte lejuar vendosja në ShBA nga qeveria amerikane, përfshirë anëtarë të familjeve të personelit ushtarak amerikan në detyrë aktive, do të pësojnë anulim fluturimesh në bazë të urdhrit të presidentit Donald Trump për pezullimin e programeve amerikane për refugjatë, thanë të hënën një zyrtar amerikan dhe një mbrojtës i njohur i rivendosjes së refugjatëve.
Në këtë grup përfshihen të mitur pa përcjellës që po e prisnin ribashkimin me familjet e tyre në ShBA si dhe afganë që janë në rrezik prej hakmarrjes së talibanëve, sepse kishin luftuar për ish-qeverinë afgane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, tha Shawn VanDiver, drejtor i koalicionit “AfghanEvac”, i përbërë nga veteran amerikanë e grupe për mbrojtjen e të drejtave, si dhe një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Vendimi i ShBA-së lë në situatë të palakmueshme mijëra afganë të tjerë që u është miratuar rivendosja si refugjatë në territorin e Shteteve të Bashkuara, por që ende nuk u janë caktuar fluturime nga Afganistani ose nga Pakistani fqinj, thanë ata.
Trumpi e kishte bërë shtypjen e migrimit premtim të rëndësishëm gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar, duke e lënë pezull fatin e programeve amerikane për refugjatë.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, i cili i mbikëqyr programet amerikane për refugjatë, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
“Afganët dhe mbrojtësit janë në panik. Mua m’u desh ta rimbushja telefonin katër herë tashmë sot, sepse shumë njerëz po më telefonojnë” – tha VanDiver.
“Ne i paralajmëruam ata se kjo do të ndodhte, por ata e bënë atë sidoqoftë. Shpresojmë se do ta rishqyrtojnë” – shtoi ai, duke iu referuar kontakteve me ekipin transitor të Trumpit.
Organizata e VanDiver-it është koalicioni kryesor që ka qenë duke punuar me autoritetet amerikane për evakuimin dhe rivendosjen e afganëve në ShBA që nga rikthimi i talibanëve në pushtet në Afganistan, përderisa forcat e fundit amerikane ishin tërhequr nga shteti aziatik në gushtin e vitit 2021 pas dy dekadave luftë./Nacionale