Urdhërarresti për Netanyahun: Dhoma e Përfaqësuesve i miraton sanksionet ndaj GjNP-së
Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara të enjten votoi për ta sanksionuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) si protestë kundër lëshimit të urdhërarresteve për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për shkak të ofensivës izraelite në Gaza.
Në votim, 243 ligjvënës e mbështetën “Aktin e Kundërveprimit Jolegjitim të Gjykatës”, me të cilin do të sanksionohej secili i huaj që heton, arreston, ndalon ose ndjek penalisht qytetarë amerikanë ose qytetarë të vendeve aleate, përfshirë Izraelin, që nuk janë anëtare të GjNP-së. 140 kongresistë votuan kundër sanksioneve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dyzet e pesë demokratë iu bashkuan 198 republikanëve në mbështetje të projektligjit. Asnjë republikan nuk votoi kundër tij.
“Amerika do ta miratojë këtë ligj, sepse një gjykatë kangur po synon që ta arrestojë kryeministrin e aleatit tonë të madh, Izraelit” – tha ligjvënësi Brian Mast, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, në një fjalim para procesit të votimit.
Ky votim, njëri ndër të parët që nga fillimi i punës së përbërjes së re të Kongresit javën e kaluar, e nënvizoi mbështetjen e fortë në mesin e republikanëve për Qeverinë e Izraelit, tani që ata i kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit.
Trumpi do të inaugurohet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Udhëheqësi i ri i shumicës në Senat, republikani John Thune, ka premtuar shqyrtim të shpejtë të aktit në dhomën e lartë të Kongresit në mënyrë që Trumpit të mund ta shndërrojë atë në ligj përmes nënshkrimit pak kohë pas ardhjes në pushtet.
Gjykata Ndërkombëtare Penale është organ i përhershëm që mund të ndjekë penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krime agresioni në shtetet anëtare të gjykatës ose nga shtetasit e tyre.
GjNP-ja ka thënë se vendimi i saj për të lëshuar urdhërarreste kundër zyrtarëve izraelitë është në vijë me qasjen e saj në të gjitha rastet, duke u mbështetur në një vlerësim nga prokurori se ka dëshmi të mjaftueshme për të proceduar, dhe me synimin që kërkimi i urdhërarrestit menjëherë do të mund t’i ndalte krimet që mund të jenë duke vazhduar./Nacionale