“Unë jam zionist”: Bideni e shënon Hanukkan hebraike, e premton vazhdimin e ndihmave ushtarake
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua për ta vazhduar armatosjen e Izraelit gjatë luftës së këtij vendi kundër Hamasit gjatë një organizimi në Shtëpinë e Bardhë për ta shënuar Hanukkan hebraike të hënën në mbrëmje.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se Izraeli duhet të jetë i vëmendshëm për ndryshimin e mendimit të botës, përderisa e ndjek qëllimin për ta zhbërë Hamasin, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Duke folur para një audience prej rreth 800 personave në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, ku të pranishëm ishin edhe disa të mbijetuar të Holokaustit mbi mbi 20 anëtarë të Kongresit, Bideni e quajti “të neveritshëm” shtimin e antisemitizmit në botë, ndërsa u duartrokit për përpjekjet e administratës së tij për të dërguar më shumë ndihma në Gaza.
“Ne vazhdojmë që të ofrojmë asistencë ushtarake derisa ata ta heqin qafe Hamasin, por duhet të jemi të kujdesshëm. E tërë bota, mendimi publik mund të ndryshojë brenda natës. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”- tha presidenti amerikan.
Në kohën e presionit të ShBA-së për Izraelin që të bëhet më shumë për t’i mbrojtur civilët në Gaza, Bideni theksoi se ai nuk pajtohet gjithmonë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Sidoqoftë, ai përsëri e shprehu pozicionin mbështetës ndaj Izraelit. “Siç thashë pas sulmit [të 7 tetorit], përkushtimi im ndaj sigurisë së popullit hebraik dhe ndaj sigurisë së Izraelit, ndaj së drejtës së tij për të ekzistuar si shtet i pavarur hebraik, është i palëkundur”- deklaroi presidenti Biden.
“Nuk duhet të jeni hebre për të qenë zionist. Unë jam zionist”- shtoi ai, duke u bërë jehonë komenteve që i kishte bërë pas sulmit të 7 tetorit, kur mijëra militantë të Hamasit hynë në komunitete jugore të Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 njerëz e duke marrë peng rreth 240 të tjerë.
“Nëse nuk do të kishte Izrael, nuk do të kishte asnjë hebre në botë që është i sigurt”- tha më tej presidenti amerikan.
Në maj të këtij viti, administrata e presidentit Biden e njoftoi atë që e quajti strategji kombëtare për t’iu kundërvënë antisemitizmit.
Megjithatë, antisemitizmi vetëm është shtuar në disa zona, përderisa shpeshtohen kritikat për shkak të rritjes së numrit të palestinezëve të vrarë në Gaza.