Ukrainën s’e brengos fort rrjedhja e dokumenteve, sekretet e luftës s’ia ka treguar as ShBA-së - NACIONALE

Ukrainën s’e brengos fort rrjedhja e dokumenteve, sekretet e luftës s’ia ka treguar as ShBA-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e Ukrainës thonë se nuk e cilësojnë dëm të madh ndaj ofensivave të ardhshme rrjedhjen e dokumenteve të inteligjencës në ShBA. Arsyeja kyçe: për një kohë të gjatë nuk I kanë ndarë të dhënat e ndjeshme të operacioneve, duke dyshuar në aftësinë e Uashingtonit për t’i mbajtur të sigurta sekretet e saj.

Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë thanë këtë javë se vetëm ukrainasit i dinë disa plane të betejave dhe të dhëna të tjera operacionale, jo amerikanët, aleatët më të rëndësishëm të Ukrainës. Kjo do të thotë se rrjedhja e dokumenteve sekrete ushtarake, përfshirë disa ku vlerësohen pikat e forta dhe të dobëta të Ukrainës në fushën e betejës kundër Rusisë, mund të mos ketë qenë e mjaftueshme – deri më tani – që ta ndryshojë rrjedhën e luftës, raporton agjencia “Associated Press”.

“Nëse operacionet ushtarake janë të planifikuara, atëherë vetëm një rreth shumë i ngushtë i njerëzve dinë për planifikimin e operacionit special”- tha të mërkurën në televizionin ukrainas zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar. “Rreziku për rrjedhje është shumë minimal” për çështjet më të rëndësishme të luftës, shtoi ajo.

Prapëseprapë, ShBA-ja e sheh rrjedhjen e dokumenteve si të rëndë. Në to përfshihen sekrete të paraportuara më parë për Ukrainën, Korenë e Jugut, Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe e vende të tjera. Zyrtarët e administratës së presidentit Biden po punojnë për ta ndërprerë rrjedhjen e të dhënave të klasifikuara në rrjete sociale dhe uebfaqe dhe për ta penguar dëmin e gjatë ndaj marrëdhënieve me aleatët e partnerët strategjikë.

Materiale më të dëmshme ende mund të publikohen. Dokumentet po vazhdojnë që të rrjedhin në internet. Dokumentet e ardhshme mund të jenë më të dëmshme për Ukrainën se ato që janë publikuar deri më tani.

Ndërkohë Rusia po bën të qartë se po e hulumton me shumë interesim secilin sekret të publikuar. “Goxha interesante”- tha për rrjedhjen e dokumenteve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Megjithatë, në grupe diskutimi në gjuhën ruse, analistët ushtarakë kanë diskutuar për mundësinë që rrjedhja të jetë dezinformatë e ShBA-së me qëllim të hutimit të Rusisë duke e krijuar përshtypjen se ushtria ukrainase është e brishtë.

Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, pas takimit me homologun ukrainas, tha të martën në Uashington se fshehtësia e planeve të Ukrainës për ndonjë ofensivë kundër forcave ruse mbetet e paprekur.

“Ata kanë një plan të mrekullueshëm... por vetëm vetëm presidenti Zelensky dhe udhëheqësia e tij vërtet i dinë hollësitë e plota të planit”- tha ai.

Lajme të ngjashme