Dokumenti sekret amerikan: Sekretari i OKB-së, shumë akomodues për Rusinë - NACIONALE

Dokumenti sekret amerikan: Sekretari i OKB-së, shumë akomodues për Rusinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas disa dokumenteve të klasifikuara, të cilat kanë rrjedhur në internet, qeveria amerikane beson se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shumë vullnet për t’i akomoduar interesat e Rusisë.

Dosjet lënë të kuptohet se Uashingtoni ka qenë duke e vëzhguar për së afërmi zyrtarin e lartë të Kombeve të Bashkuara. Në disa dokumente përshkruhet komunikimi privat mes Guterresit dhe zëvendëses së tij, raporton televizioni BBC.

Dokumentet përfshijnë vërejtje të çiltra të Guterresit për luftën dhe për disa udhëheqës afrikan.

Një dokument përqendrohet te marrëveshja e drithërave, e cila u arrit me ndërmjetësimin e OKB-së dhe Turqisë në korrik pas frikës për krizë globale të ushqimit.

Në dokument sugjerohet se Guterresi ishte aq i interesuar për ta ruajtur marrëveshjen, saqë ishte i gatshëm që t’i akomodonte interesat e Rusisë.

“Guterresi i theksoi përpjekjet e tij për ta përmirësuar aftësinë e Rusisë për të eksportuar”- thuhet në dokument, - “edhe nëse kjo i përfshin entitetet ose individët e sanksionuar rusë”.

Sipas këtij vlerësimi, veprimet e Guterresit në shkurt ishin “duke i minuar përpjekjet më të gjera për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për veprimet e saj në Ukrainë”.

Duke thënë se nuk do t’i komentojë dokumentet që kanë rrjedhur, një zyrtar i lartë tha se OKB-ja “është udhëhequr nga nevoja për ta zbutur ndikimin e luftës ndaj më të varfërve të botës”.

Rusia është ankuar shpesh se eksportimi i drithërave dhe plehrave të saj po preket negativisht nga sanksionet ndërkombëtare dhe ka kërcënuar të paktën dy herë për pezullimin e marrëveshjes, nëse nuk adresohen shqetësimet e saj.

Zyrtarët e OKB-së janë qartazi të pakënaqur me interpretimin e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Guterresit, duke thënë se ai e ka bërë shumë të qartë kundërshtimin ndaj luftës së Rusisë.

Lajme të ngjashme