Ukrainasit thyejnë rregullat në përpjekje për t’u ngrohur, nëntë të vdekur nga zjarret - NACIONALE

Ukrainasit thyejnë rregullat në përpjekje për t’u ngrohur, nëntë të vdekur nga zjarret

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shërbimi emergjent shtetëror i Ukrainës tha të mërkurën se nëntë persona kanë vdekur nga zjarret në 24 orët e kaluara, pasi njerëzit i thyen rregullat e sigurisë gjatë përpjekjeve për t’i ngrohur shtëpitë e tyre pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës së energjisë.

Ky shërbim tha se numri i zjarreve është rritur. Ukrainasit po e zgjedhin përdorimin e gjeneratorëve urgjent, qirinjve dhe cilindrave të gazit në shtëpitë e tyre për shkak të ndërprerjeve të rrymës, raporton agjencia “Reuters”.

“Vetëm në ditën e kaluar kanë qenë 131 zjarre në Ukrainë, 106 prej tyre në sektorin e banimit. Nëntë njerëz vdiqën, tetë u lënduan”- thuhet në një deklaratë të shërbimit emergjent.

“Gjeneratorë në ballkone, cilindra gazi në banesa, qirinj të ndezur... Për shkak të shkeljeve të rregullave të sigurisë kundër zjarrit, përdorimi i produkteve të pacertifikuara për ngrohje e gatim, incidentet e zjarreve dhe shpërthimeve në ndërtesa të larta e private janë bërë më të shpeshta”- thuhet më tej në deklaratë.

Autoritetet u bënë thirrje ukrainasve që të bëjnë më shumë kujdes në shtëpitë e tyre dhe t’ua shpjegojnë fëmijëve të tyre rrezikun nga zjarri.

Ukraina ende është duke bërë përpjekje për ta kthyer furnizimin e plotë me energji, një javë pas sulmeve ruse me raketa, të cilat dëmtuan objekte të ndryshme energjetike.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Rusia po mundohet ta përdorë dimrin si armë lufte kundër Ukrainës.

“Presidenti Putin tash po mundohet ta përdorë dimrin si armë lufte kundër Ukrainës dhe kjo është e tmerrshme dhe ne duhet të jemi të përgatitur për më shumë sulme. Kjo është arsyeja pse aleatët e NATO-s e kanë shtuar përkrahjen e tyre për Ukrainës”- tha ai.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se ushtria ruse është duke përgatitur sulme të reja dhe se ajo nuk do të ndalet derisa t’i harxhohen raketat. Ai u takua të hënën me zyrtarë të lartë ukrainas për të diskutuar rreth ndërmarrjes së hapave të ardhshëm për situatën e krijuar.

Kievi thotë se qëllimi i sulmeve ruse ndaj infrastrukturës ukrainase është dëmtimi i civilëve. Sidoqoftë, Moska e mohon këtë akuzë, por javën e kaluar tha se vuajtjet nuk do të mbarojë derisa Ukraina t’i plotësojë kërkesat e saj, pa i saktësuar ato.

Lajme të ngjashme