Ukrainasit po luftojnë për të gjithë ne: Sfida e Re ndaj Rendit Evropian dhe Demokracisë Liberale
Lufta e Ftohtë mes dy superfuqive, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish-Bashkimit Sovjetik, karakterizoi periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Një përplasje mes dy sistemeve ideologjike, mes demokracisë dhe autokracisë, kapitalizmit dhe komunizmit, dhe një garë e ashpër teknologjike që do të vazhdonte për 4 dekada. E kur Perdja e Hekurt u shkërmoq, u krijua përshtypja e triumfit të pashmangshëm të demokracisë liberale dhe Perëndimi e shpalli ‘fundin e historisë’.
Është e qartë se pas ngjarjeve në Ukrainë rendi botëror po zhvendoset drejt një ‘normaleje të re’ që alarmon rehatinë e NATO-s dhe hezitimin e shteteve evropiane për të rritur buxhetet e tyre të mbrojtjes. Një gjë vazhdon të mbetet e njëjtë nga e kaluara, natyra e luftës, e cila duket se nuk do të ndryshoj kurrë.
Sot bota perëndimore po përballet përsëri me një lider autoritar që synon të shtyp vullnetin e një populli për të drejtën e vetëvendosjes.
Pushtimi i tmerrshëm rus i Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti konsiderohet gjerësisht si një moment i rëndësishëm në historinë botërore. Shumë kanë spekuluar se ajo paralajmëron fundin e epokës së pas Luftës së Ftohtë, një përmbysje e "Evropës së plotë dhe të lirë". Agresioni i paprovokuar rus dhe bombardimi i qyteteve paqësore të Ukrainës, i ka sjellë publikut pasojat e diktaturës jo-liberale në mënyrën më të gjallë të mundshme.
Rusia e Putinit tani shihet si një vend i zemëruar, revanshist që synon të ndryshojë të gjithë rendin evropian të pas-1991-s, jo si një shtet me ankesa legjitime për zgjerimin e NATO-s. Ose, më saktë, është një vend me një lider të vetëm të fiksuar për të korrigjuar atë që ai e percepton si një padrejtësi historike, pa marrë parasysh koston për popullin e tij. Ukraina është thelbësore për narrativën e ngushtë të Presidentit Putin me njerëzit e tij, të cilin tregim ai e shpërndan përmes mediave shtetërore, mediave sociale dhe hapësirës kibernetike.
Në anën tjetër, njerëzit në mbarë botën janë frymëzuar nga heroizmi i ukrainasve që janë mbledhur rreth vendit të tyre dhe po luftojnë një armik të madh. Presidenti Zelenskiy ka fituar një reputacion si një lider model që ka treguar guxim përballë vështirësive dhe si një burim uniteti për një vend të ndarë.
Ndërkaq, NATO është bërë më e bashkuar se kurrë, në kundërshtim me pritshmëritë e Putinit, me Finlandën dhe Suedinë që mendojnë të bashkohen. Ndryshimi më i dukshëm ka ndodhur në Gjermani, e cila më parë ishte aleati më i afërt evropian i Rusisë. Kancelari Olaf Scholz ka ndryshuar dekada të politikës së jashtme gjermane dhe ka hedhur vendin e tij me gjithë zemër në luftën kundër imperializmit të Putinit, duke dyfishuar buxhetin gjerman të mbrojtjes.
Edhe pse është e vështirë të shihet se si Putini do t'i arrijë qëllimet e tij më të mëdha për një Rusi të madhe, megjithatë rruga është e gjatë dhe e zymtë përpara. Sepse Putini nuk ka vendosur ende forcën e plotë të ushtrisë ruse në terrenin ukrainas.
Gara do të jetë midis Rusisë që ri-furnizon forcat e veta dhe NATO-s që forcon rezistencën ukrainase. Ndërsa thirrjet për një zonë "të ndalimit të fluturimeve" bëhen gjithnjë e më të forta, ekziston rreziku që luftimet të përshkallëzohen në përplasje të drejtpërdrejta midis NATO-s dhe Rusisë. Megjithatë, janë ukrainasit ata që do të mbajnë peshën kryesore të agresionit të Putinit dhe janë ata që do të luftojnë në emrin tonë.
Edhe nëse Putini humbet, kjo nuk do të thotë që hallet e liberalizmit përfundojnë. Kina, si dhe Irani, Venezuela, Kuba dhe populistët perëndimorë, do të jenë aty. Megjithatë, bota do të ketë mësuar vlerën e një rendi botëror liberal dhe se ai nuk do të mbijetojë nëse njerëzit nuk luftojnë për të dhe nuk tregojnë mbështetje reciproke për njëri-tjetrin.