Ukrainasit po i fshehin fëmijët për t’i shpëtuar evakuimit të detyrueshëm nga Pokrovsku - NACIONALE

Ukrainasit po i fshehin fëmijët për t’i shpëtuar evakuimit të detyrueshëm nga Pokrovsku

1 vit më parë

nga NACIONALE

Prindërit po i fshehin fëmijët e tyre nga autoritetet lokale për ta shmangur evakuimin e detyrueshëm në qytetin lindor ukrainas, Pokrovsk, zonë me rëndësi strategjike, në kohën e paralajmërimeve se forcat ruse janë duke përparuar shpejt.

Komuniteteve në Pokrovsk dhe përreth tij po u bëhet thirrje që të largohen brenda dy javëve të ardhshme, përderisa forcat ruse po e vazhdojnë ofensivën e tyre, që po ndodh pavarësisht nga sulmi ukrainas në territorin rus, që e ka zënë Moskën në befasi, raporton televizioni CNN.

Rreth 600 deri në 700 njerëz në ditë po evakuohen, sipas administratës ukrainase. Të enjten, operatori kombëtar i hekurudhave tha se të paktën 371 njerëz u evakuuan nga Prokrovsku me tren dhe se kompania u desh të shtonte nëntë vagonë për ta akomoduar turmën e madhe.

Megjithatë, Evheniya, banore 65-vjeçare në Pokrovsk, që më parë ka punuar si kuzhiniere në një restorant lokal, i tha televizionit CNN se tani dëgjon zhurma të shpërthimeve natën, por nuk ka plane për t’u larguar nga qyteti.

“Natën [dëgjoj] shpërthime dhe rri ulur [në shtrat]. Shumë e frikshme, kur je e vetme. Pres derisa qetësohet dhe, porsa shtrihem, prapë [shpërthime]” – tha ajo.

Në rajonin Donetsk, fëmijët me prindër ose me kujdestarë të tjerë të ligjshëm do të evakuohen nga distrikte të caktuara, përfshirë Pokrovskun, sipas ministrisë që është përgjegjësve për riintegrimin e rajoneve që më parë kanë rënë në kontrollin rus.

“Mos prisni. Nuk do të bëhet më mirë, do të bëhet vetëm më keq. Largohuni” – ishte paralajmërimi i qartë i zyrtarit lokal, Yurii Tretiak, drejtor i administratës ushtarake në Myrnohrad, që ndodhet më pak se pesë kilometra larg vijës së frontit.

Megjithatë, ai tha se shumë njerëz po ngurrojnë që të largohen, madje duke shkuar aq larg, saqë po i fshehin fëmijët e tyre nga autoritetet, duke e detyruar administratën ushtarake që të bëjë vizita nëpër shtëpi.

“Kemi raste kur prindërit i fshehin fëmijët e tyre. Sot (20 gusht) do të kemi një takim me policinë për të diskutuar se si do të punojmë me këta njerëz, si do të kërkojmë prindër të tillë që i fshehin fëmijët dhe që japin të dhëna të rreme që fëmijët e tyre tashmë janë larguar” – tha ai, duke theksuar se rreziqet janë duke u rritur dhe se disa zona të qytezës po ballafaqoheshin me sulme të përditshme.

Lajme të ngjashme