Ukrainasit përgatiten për dimër të zymtë, pritet mungesë e rrymës - NACIONALE

Ukrainasit përgatiten për dimër të zymtë, pritet mungesë e rrymës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndërprerja e rrymës mund të vazhdojë deri në mars, sipas njërit prej shefave të energjisë në Ukrainë, kur banorët e këtij vendi po përgatiten për dimër të zymtë pas sulmeve të vazhdueshme të Russië ndaj rrjetit energjetik.

Sergey Kovalenko, shef ekzekutiv i kompanisë private të energjisë, “DTEK Yasno”, tha të hënën vonë se kjo kompani do ta vazhdojë zbatimin e ndërprerjes së energjisë në zonat që i mbulon, përfshirë kryeqytetin Kiev dhe rajonin lindor, Dnipropetrovsk, sipas udhëzimeve të operatorit shtetëror të rrjetit energjetik.

“Edhe pse tash ka më pak ndërprerje, dua që secili të kuptojë: Sipas të gjitha gjasave, ukrainasit do të duhet të jetojnë me ndërprerje rryme deri të paktën në fundin e marsit”- paralajmëroi Kovalenkoja.

“Mendoj se duhet të jemi të përgatitur për opsione të ndryshme, madje edhe për më të këqijat. Rezervoni rroba të ngrohta, batanije, mendoni për atë që do t’ju ndihmojë që të prisni derisa një ndërprerje e gjatë të përfundojë”- shtoi ai, duke iu drejtuar banorëve ukrainas.

Rusia me javë i ka goditur nga ajri rrjetin energjetik dhe infrastrukturën e Ukrainës, kur lufta po mbush gati nëntë muaj. Këto sulme kanë shkaktuar ndërprerje masive të energjisë dhe miliona ukrainas kanë mbetur pa rrymë, ngrohje dhe ujë.

Temperaturat zakonisht bien nën zero në Ukrainë gjatë muajve të dimrit. Autoritetet ukrainase e kanë filluar zhvendosjen e civilëve nga zonat e çliruara rishtazi të rajoneve jugore, Kherson dhe Mykolaiv, nga frika se banorët do ta kenë vështirë mbijetesën gjatë dimrit, raporton agjencia “Associated Press”.

Kovalenkoja shtoi se edhe nëse nuk ndodhin sulme të reja ruse, ndërprerja e organizuar e rrymës do të jetë e nevojshme në mbarë vendin për t’u siguruar që energjia të shpërndahet në mënyrë të barabartë nëpër rrjetin energjetik.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmet ruse me raketa kanë dëmtuar më shumë se 50 për qind të objekteve energjetike. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se miliona njerëz ballafaqohen me dimër “që e rrezikon jetën” në Ukrainë.

Beteja për terren ka vazhduar pavarësisht nga përkeqësimi i kushteve të motit. Forcat ukrainase po luftojnë kundër pozicioneve ruse si pjesë e një kundërsulmi disajavor, ndërsa forcat ruse po i vazhdojnë sulmet me raketa dhe me predha.

Zyrtarët ukrainas raportuan të martën në mëngjes për sulme me predha nga forcat ruse gjatë natës në disa rajone ukrainase: në Donetsk, ku luftimet janë të përqendruara; në Sumy, që ndodhet në veri dhe kufizohet me Rusinë, dhe në juglindje, në Dnipropetrovsk.

Lajme të ngjashme