"Ukraina vazhdon të çlirojë territore në lindje dhe jug të vendit" - NACIONALE

"Ukraina vazhdon të çlirojë territore në lindje dhe jug të vendit"

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky ka thënë se Ukraina ka vazhduar të çlirojë territore në lindje dhe jug të vendit, pasi hartat e ministrisë ruse të Mbrojtjes duket se tregojnë tërheqje të shpejta të forcave të saj pushtuese.

Edhepse, në konferencën e përditshme video të ministrisë nuk përmendej ndonjë tërheqje, në hartat e përdorura për të treguar vendndodhjen e sulmeve të supozuara ruse, zona me hije që përcaktonte kontrollin ushtarak rus ishte shumë më e vogël se një ditë më parë.

Hartat e përfshira në konferencën e përditshme ushtarake të së martës treguan se forcat ruse nuk kishin më nën kontroll fshatin Dudchany në bregun perëndimor të lumit Dnieper, ku forcat e Ukrainës kanë bërë presion për të rimarrë territorin e kapur në fillim të ofensivës së Moskës.

Ndërsa, në rajonin verilindor të Kharkiv-it, ku filloi seria e fitoreve të Kievit në fushën e betejës në fillim të shtatorit, hartat e ministrisë ruse të Mbrojtjes treguan se forcat e saj kishin lënë pozicionet në bregun perëndimor të lumit Oskil.

Në anën tjetër, në një konferencë të mbajtur nga zyrtarët perëndimorë të marten, tha se Ukraina aktualisht po diktonte tempin operacional në fushën e betejës dhe dyshonte nëse Rusia kishte ambicien ose aftësinë për t'u kthyer në ofensivë.

"Komandantët ukrainas në jug dhe në lindje po krijojnë probleme për zinxhirin rus të komandës më shpejt se sa rusët mund të përgjigjen në mënyrë efektive," thanë zyrtarët.

Ata po ashtu shtuan se, nuk kishin parë asnjë indikacion të ndonjë aktiviteti të pazakontë rreth arsenalit bërthamor të Moskës pas kërcënimeve të fundit bërthamore nga Vladimir Putin, duke vënë në dukje se zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kishte hedhur poshtë thirrjet e liderit çeçen Ramzan Kadyrov për të përdorur armë të tilla.

Lajme të ngjashme