Ukraina thotë se Rusia e ka sulmuar me 120 raketa nga ajri e deti
Alarmi për sulme ajrore është lëshuar në pjesë të ndryshme të Ukrainës, pasi qytete të rëndësishme janë vënë në shënjestër të valës së re të sulmeve ruse me raketa.
Këshilltari presidencial, Mykhailo Podolyak, tha se mbi 120 raketa janë hedhur drejt popullsisë dhe infrastrukturës civile, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.
Të paktën dy shpërthime janë dëgjuar në Kiev, por nuk ka qenë e qartë nëse ato janë shkaktuar nga sulmet apo nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Shpërthime janë dëgjuar edhe në qytetet Kharkiv, Odesa, Lviv e Zhytomyr.
Udhëheqësi rajonal i provincës jugore të Odesës, Maksym Marchenko, përmendi “një sulm masiv me raketa mbi Ukrainën”.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia është duke e sulmuar vendin “nga drejtime të ndryshme me raketa me vetëdrejtim të nisura nga ajri e deti”. Ato shtuan se janë përdorur edhe disa dronë kamikazë.
Sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në të gjitha rajonet e Ukrainës të enjten në mëngjes. Këshilltari presidencial, Oleksiy Arestovych, u bëri thirrje civilëve që të kërkojnë strehim dhe tha se sistemet e mbrojtjes ajrore janë duke operuar.
Në Kiev, administrata ushtarake e qytetit tha se mbetjet e një rakete të rrëzuar kanë goditur një ndërtesë private. Kryetari Vitali Kliçko tha se disa shpërthime janë raportuar në kryeqytet.
Në rajonin jugor të Mykolaiv-it, guvernatori Vitaly Kim, tha se pesë raketa janë penguar nga sistemi i mbrojtjes ajrore.

