Shpeshtohen sulmet e Rusisë, civilët largohen nga Khersoni - NACIONALE

Shpeshtohen sulmet e Rusisë, civilët largohen nga Khersoni

3 vjet më parë

nga NACIONALE

13-vjeçarja Nika Selivanova bëri një zemër me të dyja duart, duke e përshëndetur shoqen e saj më të mirë, Inna, e cila ishte mbështetur për xhamin që e ndante sallën hyrëse të stacionit të trenit në Kherson nga zona e pritjes.

Një çast më parë, ato u përqafuan dhe sytë filluan t’u mbusheshin me lot. Inna e puthi Asian, qen i mbështjellë me batanije, të cilin Nika e mbante në duar.

Vajzat nuk e dinin se kur do të mund ta shihnin njëra-tjetrën përsëri, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.

Familja e Nikas po largohej nga Khersoni, e pasigurt se ku do të përfundonte. Tash për tash, ishin nisur drejt qytetit perëndimor, Khmelnytskyi, duke shpresuar se atje do të marrin pak ndihmë.

Ditët e fundit në Kherson ishin thjesht barrë e madhe për nënën e Nikas, Elena.

“Më parë, ata [rusët] na bombardonin shtatë deri në dhjetë herë në ditë, tash 70 deri në 80 herë, tërë ditën. Është shumë e frikshme. I dua Ukrainën e qytetin tim të dashur, por u desh të shkonim”- tha Elena.

Ajo dhe tri vajzat e saj janë në mesin e më shumë se 400 personave që janë larguar nga Khersoni nga Dita e Kërshëndellave, pas rritjes së dukshme të intensitetit të bombardimeve në qytet nga ushtria ruse.

Të martën, reparti i maternitetit në një spital u bombardua. Askush nuk u lëndua, por ky rast ka shkaktuar edhe më shumë frikë në mesin e civilëve.

Elena u largua me tren përmes një procesi të lehtësuar nga qeveria ukrainase.

Qindra njerëz po largohen vetë. Një kolonë veturash u pa në një pikë kontrolli jashtë Khersonit. Automjetet ishin të mbushura me civilë të tmerruar.

Iryna Antonenko ishte duke qarë, kur iu afruam veturës për të biseduar me të.

“Nuk mund të durojmë më. Bombardimet janë shumë intensive. Qëndruam tërë këtë kohë dhe menduam se do të kalonte dhe se do të ishim me fat, por një sulm e goditi shtëpinë afër shtëpisë sonë dhe shtëpia e babait tim, gjithashtu, është bombarduar”- tha ajo.

Ajo po planifikonte të udhëtonte për në Kryvyi Rih, qytet në pjesën qendrore të Ukrainës, ku ajo ka disa anëtarë të familjes.

Muajin e kaluar, në Kherson kishte skena ngazëllimi. I pushtuar nga forcat ruse që në ditën e dytë të luftës, qyteti u çlirua më 11 nëntor.

Afër vendit ku ishin mbledhur njerëz me flamuj ukrainas për ta festuar çlirimin nga kontrolli rus, një sulm me mortajë në Natën e Kërshëndellave la 11 të vdekur e dhjetëra të lënduar.

Në mesin e të vdekurve ishin një punëtor social, një mishshitës dhe një grua që po shiste kartela me numra të telefonit – njerëz të rëndomtë që po punonin ose po e vizitonin tregun qendror të qytetit.

Atë ditë, Khersoni u godit me mortaja 41 herë, sipas qeverisë ukrainase.

Rusët po sulmojnë nga bregu lindor i Lumit Dnipro, ku ata janë vendosur pas tërheqjes nga qyteti. Ky lumë është bërë de fakto vijë e frontit në jugun e Ukrainës.

Khersoni është rajon me rëndësi strategjike, shpesh i quajtur "portë e Krimesë". Shumë analistë thonë se Rusia tash është detyruar që të vendoset në pozicion mbrojtës atje.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme