Shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës thotë se luftimet janë në ngërç
Luftimet në Ukrainë tash për tash janë në një ngërç, pasi as Ukraina, as Rusia nuk mund të bëjnë përparime domethënëse, sipas shefit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, përderisa Kievi po pret armë më të avancuara nga aleatët perëndimorë.
“Situata thjesht është mbërthyer. Nuk lëviz”- i tha televizionit BBC në një intervistë zyrtari i lartë ukrainas.
Pasi trupat ukrainase e rimorën qytetin jugor, Kherson, në nëntor, shumica e betejave më të ashpra janë zhvilluar përreth qytetit Bakhmut, në rajonin Donetsk. Në pjesë të tjera, forcat ruse duken në pozicione mbrojtëse përderisa dimri e ka ulur ritmin e operacioneve tokësore të Ukrainës në vijën e frontit të gjatë një mijë kilometra.
Budanovi tha se Rusia “tash është tërësisht në një rrugë pa krye”, duke pësuar humbje shumë domethënëse, dhe ai beson se Kremlini ka vendosur që të bëjë edhe një mobilizim tjetër të rekrutëve. Megjithatë, ai shtoi se forcave ukrainase ende u mungojnë burimet për të lëvizur përpara në shumë zona.
“Nuk mund t’i mposhtim ata në të gjitha drejtimet në mënyrë gjithëpërfshirëse. As ata [ne]. Mezi po presim për furnizim me armë të reja dhe për arritjen e armëve më të avancuara”- tha ai.
Këtë muaj, pas një vargu të humbjeve ushtarake të Rusisë, zyrtarët ukrainas paralajmëruan për mundësinë e një ofensive tjetër tokësore të ushtrisë nga territori i Bjellorusisë në fillimin e vitit 2023. Ata thanë se në përpjekje mund të përfshihet synimi për ta marrë nën kontroll kryeqytetin Kiev, dhe mund të angazhohen dhjetëra mijëra rezervistë që po trajnohen në Rusi.
Sidoqoftë, shefi i inteligjencës ukrainase i shpërfilli aktivitetet e Rusisë në Bjellorusi, përfshirë lëvizjen e mijëra trupave, duke i cilësuar si përpjekje për ta detyruar Ukrainën që t’i zhvendosë ushtarët nga fushat e betejës në jug e në lindje për në pjesën veriore të vendit.
Ai tha se rishtazi, një tren i mbushur me ushtarë rusë është ndalur në një vend afër kufirit të Bjellorusisë me Ukrainën dhe është kthyer, prapë i mbushur, disa orë më vonë.
Bjellorusia është përdorur nga forcat ruse si vendnisje për sulme, por Budanovi beson se shoqëria bjelloruse nuk do të përkrahte ndonjë përfshirje të mëtejme në luftë, ndërsa analistët e kanë vënë në pikëpytje nivelin e gatishmërisë së ushtrisë me 48 mijë ushtarë. “Për këtë arsye, presidenti Lukashenko është duke i ndërmarrë të gjithë hapat për të parandaluar një fatkeqësi për vendin e tij”- tha Budanovi.

