Ministri i Forcave të Armatosura të Francës e viziton Kievin
Ministri i Forcave të Armatosura të Francës, Sebastien Lecornu, ka arritur në Kiev, sipas mediumit ukrainas, “Kyiv Post”.
Kjo është vizita e tij e parë në Ukrainë që nga emërimi në postin e ministrit, në maj të këtij viti, shkruan “The Guardian”.
Reporteri i televizionit “France24”, Andrew Hilliar, ka thënë se ministri Lecornu pritet të vizitojë një qendër përkujtimore për luftën të enjten.
Vizita e ministrit vjen pas premtimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, për rritjen e përkrahjes ushtarake të Francës për Ukrainën.
Sipas reporterit Hilliar, Lecornu-ja është nën presion për të njoftuar ndihma të reja, sepse disa në Ukrainë ende janë të zemëruar me komentet e Macronit gjatë rrjedhës së luftës.
Presidenti francez është dukur më i zëshëm se shumica e udhëheqësve evropianë sa i përket sugjerimit se Ukraina duhet të jetë e gatshme për të bërë lëshime në këmbim të paqes.
Ndërkohë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Bridget Brink, e ka përsëritur përkrahjen që vendi i saj është duke ia ofruar Kievit në fushën e energjisë pas sulmeve të vazhdueshme ruse në rrjetin energjetik të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paraqitur një plan 10-pikësh për arritjen e paqes, me të cilën bëhet thirrje që trupat ruse të tërhiqen nga Ukraina dhe që vendit të tij t’i kthehet integriteti territorial. Megjithatë, Rusia e ka refuzuar këtë plan, duke kërkuar që katër rajonet e aneksuara të njihen si territor rus.

