Ukraina thotë se mbi 1.400 afrikanë nga dhjetëra shtete po luftojnë për Rusinë - NACIONALE

Ukraina thotë se mbi 1.400 afrikanë nga dhjetëra shtete po luftojnë për Rusinë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 1.400 shtetas të mbi 30 shteteve afrikane janë duke luftuar krahas forcave ruse në Ukrainë, tha të premten ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha.

Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia është munduar që t’i fuqizojë radhët e veta në sulmin ndaj vendit fqinj duke rekrutuar luftëtarë nga disa shtete, nganjëherë edhe përmes dredhisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryediplomati ukrainas tha se Rusia po i josh afrikanët që të nënshkruajnë kontrata që, sipas tij, janë “të barasvlershme me... dënimin me vdekje” dhe u bëri thirrje qeverive të vendeve afrikane që t’i paralajmërojnë shtetasit e tyre.

“Shtetasit e huaj në ushtrinë ruse kanë fat pikëllues. Shumica prej tyre dërgohen menjëherë në të ashtuquajturat “sulmet me mish”, ku vriten shpejt” – shkroi ministri Sybiha në rrjetin X.

Afrika e Jugut tha të enjten se do të zhvillojë një hetim për atë se si 17 shtetas të saj u ishin bashkuar forcave mercenare, pasi burrat dërguan mesazhe ndihme për asistencë që të ktheheshin në atdhe.

Muajin e kaluar, Kenia tha se disa shtetas të saj ishin ndaluar në kampe ushtarake në pjesë të ndryshme të Rusisë, pasi pa vetëdije ishin bërë pjesë e konfliktit.

Sybiha tha se numri i përgjithshëm i rekrutëve afrikanë mund të jetë më i lartë se 1.436 sa janë identifikuar, me prejardhje nga 36 shtete, dhe se shumica e mercenarëve të huaj që janë në ndalim në Ukrainë ishin kapur gjatë misionit të tyre të parë luftarak.

Ministri tha se Ukraina do të ofrojë të dhëna më të saktësuara për shtetet dhe rajonet nga të cilat Rusia ka rekrutuar trupa./Nacionale

Lajme të ngjashme