Ukraina thotë se ka zbuluar një varr masiv në qytetin e çliruar, Izium
Autoritetet ukrainase kanë thënë se kanë dëshmi për një varr masiv në qytetin verilindor, Izium, i cili është çliruar rishtazi nga duart e pushtuesve rusë.
Drejtori i policisë rajonale, Volodymyr Tymoshko, i tha televizionit BBC se mbi 400 trupa besohet se janë varrosur në varrin masiv.
“Rusia lë vdekje kudo”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke përmendur varre të tjera masive të raportuara se janë gjetur pas tërheqjes së forcave ruse, përcjell Nacionale.
Ukraina dhe aleatët perëndimorë më parë e kanë akuzuar ushtrinë ruse për krime lufte. Moska e ka mohuar këtë akuzë.
Zyrtarët ukrainas deri më tani nuk kanë paraqitur dëshmi publike për t’i mbështetur pretendimet e tyre për zbulimin e varrit masiv në Izium të enjten.
Ende nuk është e qartë se çfarë u ka ndodhur viktimave, por sipas disa rrëfimeve, këta njerëz mund të kenë vdekur nga bombardimet dhe mungesa e qasjes në kujdes shëndetësor. Gjithashtu, ka shenja se disa varre mund të jenë të ushtarëve ukrainas.
Tymoshko tha se zhvarrosja do të fillojë të premten për të marrë vesh më shumë për numrin e viktimave në qytetin që ishte nën pushtimin rus për më shumë se pesë muaj.
Në adresimin e mbrëmjes të enjten, presidenti ukrainas tha se “informata të qarta dhe të vërtetuara” do t’u paraqiten të premten gazetarëve ukrainas dhe të huaj.
“Ne duam që bota të dijë se çfarë është duke ndodhur në të vërtetë dhe se në çfarë ka çuar pushtimi rus. Buça, Mariupoli, tash, fatkeqësisht, Iziumi”, tha ai.
Andriy Yermak, shef i zyrës së presidentit të Ukrainës, publikoi një fotografi ku pretendohet se shihet varri masiv, duke thënë se më shumë informata për këtë priten të publikohen të premten.
A mass burial was found in Izyum, Kharkiv region. Necessary procedures have already begun. All bodies will be exhumed and sent for forensic examination. Expect more information tomorrow.
— Andriy Yermak (@AndriyYermak) September 15, 2022
Russia is a murderer country. A state sponsor of terrorism. pic.twitter.com/7pKTrYvlUF
Një pjesë e madhe e qytetit Izium është shndërruar në gërmadha. Një politikan lokal u ka thënë gazetarëve se deri në 80 për qind e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar dhe se ka ende trupa të pagjetur nën rrënoja.
Iziumi dhe disa qytete të tjera të rajonit Kharkiv u çliruan këtë muaj gjatë një kundërsulmi të shpejtë të forcave ukrainase, që duket se e ka befasuar ushtrinë ruse dhe e ka zënë të papërgatitur për t’i mbrojtur pozicionet e veta.
Ukraina thotë se ka identifikuar më shumë se 21.000 krime të mundshme lufte – përfshirë vrasjen e civilëve dhe dhunimin seksual – të kryera nga forcat ruse që nga dhënia e urdhrit nga presidenti rus, Vladimir Putin, për ta nisur pushtimin më 24 shkurt./Nacionale
