Ukraina thotë se ka përgjuar një telefonatë që dëshmon se diga është goditur nga Rusia - NACIONALE

Ukraina thotë se ka përgjuar një telefonatë që dëshmon se diga është goditur nga Rusia

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shërbimi për siguri të brendshme i Ukrainës tha të premten se ka përgjuar një telefonatë që dëshmon se një grup rus i sabotimit e ka hedhur në erë hidrocentralin dhe digën në Kakhovka, në jug të Ukrainës.

Shkatërrimi i digës të martën shkaktoi vërshime masive, duke detyruar mijëra banorë që të largohen dhe duke shkaktuar dëme të mëdha.

Rusia dhe zyrtarët e emëruar prej saj në Ukrainë e kanë akuzuar Kievin për shkatërrimin e digës, por kanë ofruar shpjegime të ndryshme, raporton agjencia “Reuters”.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës publikoi një audio-incizim të gjatë një minutë e gjysmë në kanalin e këtij institucioni në “Telegram”, ku mund të dëgjohet biseda mes burrave që duket se po flisnin rusisht për pasojat e shkatërrimit të digës.

“Ata (ukrainasit) nuk e goditën atë (digën). Ishte grupi ynë i sabotimit. Ata deshën, disi, t’i frikësonin (njerëzit) me atë digë”- dëgjohet duke thënë njëri nga burrat në telefonatë, të cilin shërbimi ukrainas e përshkroi si ushtar rus.

“Nuk shkoi sipas planit dhe (ata bënë) në shumë se aq sa kishin planifikuar”- dëgjohet duke thënë më pas personi në telefonatë.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës nuk dha hollësi të tjera për bisedën ose për pjesëmarrësit e saj, por tha se ka filluar një hetim për krime lufte dhe ekocid.

“Pushtuesit deshën që ta shantazhonin Ukrainën përmes hedhjes në erë të digës dhe organizuan një katastrofë të bërë nga njeriu në jug të vendit”- thuhet në deklaratën e këtij organi.

Lajme të ngjashme