Ukraina thotë se ka goditur një bazë ajrore ruse në Krime - NACIONALE

Ukraina thotë se ka goditur një bazë ajrore ruse në Krime

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase tha të enjten se forcat e saj kishin goditur një bazë ajrore ruse në Gadishullin e Krimesë gjatë natës, duke konfirmuar një sulm për të cilin u raportua më herët nga një burim i inteligjencës ukrainase.

Në një deklaratë të shkurtër të ushtrisë thuhet se baza ajrore “Saky”, që ndodhet në pjesën perëndimore të Krimesë, është sulmuar nga forcat mbrojtëse të Ukrainës. Nuk u dhanë hollësi të tjera, raporton agjencia “Reuters”.

Burimi i inteligjencës i tha agjencisë “Reuters” se sulmi është kryer nga shërbimi i sigurisë, SBU, dhe forcat detare përmes dronëve dhe sistemit raketor me vetëdrejtim, “Neptune”. Sulmi “e goditi cakun dhe shkaktoi dëm serioz” në pajisjet që ndodheshin në bazën ajrore, sipas këtij burimi.

Rusia nuk i komentoi menjëherë këto raportime. Ushtria ruse tha më herët të enjten se kishte shkatërruar 19 dronë ukrainas mbi Krime dhe mbi Detin e Zi, por nuk dha hollësi për pasoja të mundshme në njerëz ose dëme.

Ukraina i ka shtuar sulmet në Detin e Zi dhe në Krime, territor i aneksuar nga Rusia më 2014, përderisa forcat ukrainase po e vazhdojnë kundërsulmin e nisur para gati katër muajve.

Sulmet e fundit e vënë në pah rritjen e kapaciteteve raketore të Ukrainës, përderisa Rusia po vazhdon që ta sulmojë vendin fqinj nga largësia me raketa me rreze të gjatë e me dronë sulmues.

Burimi tha se të paktën 12 aeroplanë luftarakë e një sistem i mbrojtjes ajrore ndodheshin në bazën e sulmuar në perëndim të Krimesë dhe se kjo bazë përdorej për trajnimin e operatorëve të dronëve.

Kievi tha se një varg i sulmeve në Krime javën e kaluar kanë dëmtuar dy anije patrulluese ruse dhe kanë shkatërruar një sistem të sofistikuar të mbrojtjes ajrore.

Të mërkurën, Ukraina tha se forcat e saj kishin goditur një pikë komanduese të flotës ruse të Detit të Zi afër Sevastopolit, në Krime.

Lajme të ngjashme