Ukraina thotë se forcat ruse po luftojnë në shumë fronte
Zyrtarët ukrainas raportuan për bombardime përreth kryeqytetit Kiev dhe rajonit verior të Çernihivit të mërkurën, pavarësisht premtimit të Moskës për t’i pakësuar operacionet ushtarake atje.
Forcat ruse gjithashtu po i bombardojnë pothuajse të gjitha qytetet përgjatë vijës së frontit, që e ndan territorin e kontrolluar nga qeveria ukrainase me zonat e mbajtura nga separatistët pro-rusë në rajonin lindor, Donetsk, tha guvernatori rajonal. Luftime të ashpra u raportuan edhe në qytetin jugor, Mariupol.
Oleksiy Arestovych, këshilltari i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia po i zhvendos forcat nga pjesa veriore e Ukrainës për në zonat lindore të saj në përpjekje për t’i rrethuar ushtarët ukrainas atje.
Ai tha se Rusia do të mbajë disa ushtarë afër Kievit në përpjekje për t’ua parandaluar forcave ukrainase përforcimin e frontit lindor, shkruan “Reuters”, përkthen “Nacionale”.
Nënkryetari i Kievit, Mykola Povoroznyk, i tha televizionit kombëtar se vetë kryeqyteti nuk është bombarduar gjatë natës, por ka pasur luftime përreth tij.
Guvernatori i rajonit Çernihiv, Ciacheslav Chaus, tha se nuk ka parë pakësim të sulmeve ruse dhe se nuk beson në premtimin e Rusisë për zvogëlimin e operacioneve ushtarake.
Guvernatori i rajonit Khmelnitskyi që shtrihet në perëndim të Ukrainës, Serhiy Hamaliy, , tha se forcat ruse kanë goditur objekte industriale përmes tri sulmeve gjatë natës.
Guvernatori i rajonit Mykolayiv që shtrihet në jug të Ukrainës, Vitaliy Kim, tha se luftimet kanë vazhduar edhe përreth qytetit të pushtuar nga rusët, Kherson, dhe në rajon në përgjithësi.
“Nuk po relaksohemi, po punojmë për fuqizimin e kapacitetit tonë mbrojtës”, tha ai.