Ukraina thotë se ende është duke avancuar në rajonin Kursk të Rusisë
Ukraina tha të martën se përmes sulmit më të madh të saj matanë kufirit deri më tani në luftë ka marrë nën kontroll 74 vendbanime në rajonin Kursk të Rusisë dhe ende ishte duke avancuar, duke shënuar përparim prej një deri në tri kilometra në 24 orët e kaluara.
Ukraina e zuri në befasi Moskën duke dërguar mijëra trupa javën e kaluar në rajonin perëndimor rus, Kursk. Operacioni i papritur ia ka sjellë Ukrainës fitoret më të mëdha në fushë të betejës që nga viti 2022 pas disa muajve në disavantazh, raporton agjencia “Reuters”.
Narrativa e Ukrainës bie ndesh me gjendjen e përshkruar nga Rusia, ku Gjeneral Major Apti Alaudinov tha se trupat ukrainase ishin ndalur, ndërsa Ministria e Mbrojtjes tha se sulmet ishin sprapsur në fshatra rreth 26 deri në 28 kilometra prej kufirit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat e vendit të tij kishin rrethuar të burgosur rusë të luftës, të cilët mund të shkëmbehen me luftëtarë të kapur ukrainas, duke e vënë në pah atë që e përshkroi si “fond shkëmbimi” në zgjerim.
“Pavarësisht nga betejat e vështira dhe intensive, forcat tona vazhdojnë që të avancojnë në rajonin Kursk dhe “fondi ynë i këmbimit” shtetëror është duke u rritur. 74 vendbanime janë nën kontrollin ukrainas” – tha Zelensky.
I shfaqur duke biseduar përmes video-lidhjes, presidenti Zelensky kërkoi nga komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, që t’i zhvillonte “hapat kyçë” të radhës në operacion.
“Gjithçka është duke u ekzekutuar sipas planit” – u përgjigj komandanti ukrainas, pa dhënë hollësi.
Një javë pas fillimit të ofensivës së befasishme të Ukrainës, guvernatori rus i Kurskut, Alexei Smirnov, iu bëri thirrje banorëve që të shfaqin durim dhe karakter.
“Do ta them këtë drejtpërdrejt: kriza ende nuk është tejkaluar” – shkroi ai në rrjete sociale.
Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar për t’ia kthyer goditjen Ukrainës me një “kundërpërgjigje të denjë” dhe i ka akuzuar “padronët perëndimorë” të Kievit për ndihmë ndaj Ukrainë./Nacionale