Ukraina tallet me Rusinë, bën paradë në Kiev me tanket e kapura ruse - NACIONALE

Ukraina tallet me Rusinë, bën paradë në Kiev me tanket e kapura ruse

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Përpara Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, qeveria e vendit ka organizuar një ekspozitë të tankeve, kamionëve dhe pjesëve të artilerisë së shkatërrur ruse në qendër të Kievit.

“Në shkurt, rusët po planifikonin një paradë në qendër të Kievit”, shkroi në Twitter Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, së bashku me një video dy minutëshe të publikuar që tregon shumë automjete rusë të shkatërruara.

“Shfaqja e metalit të ndryshkur rus është një kujtesë për të gjithë diktatorët se si planet e tyre mund të shkatërrohen nga një komb i lirë dhe i guximshëm”, shkruhej më tej në postim.

Videoja, e publikuar në mediat sociale të shtunën, tregon ukrainasit duke u ngjitur në majë të mjeteve ruse e duke bërë selfie.

Ndërsa, ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov tha se: “Unë pashë vetë uniformat ceremoniale në tanket e tyre. Agresorët ëndërronin të kapnin Kievin brenda 3 ditës. Okupatorët synonin të bënin një paradë në kryeqytetin tonë.”

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar ukrainasit që të jenë vigjilentë në javën e ardhshme ndërsa përgatiten të festojnë Ditën e Pavarësisë së tyre, pasi shpërthime të reja kanë goditur Krimenë dhe një raketë la të plagosur 12 civilë pranë një centrali bërthamor.

Zelensky tha të shtunën vonë se, ukrainasit nuk duhet të lejojnë që Moska të "përhapë dëshpërim dhe frikë" mes tyre ndërsa shënojnë 31 vjetorin e pavarësisë nga sundimi sovjetik.

“Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se këtë javë Rusia mund të përpiqet të bëjë diçka veçanërisht të shëmtuar, diçka veçanërisht të egër”, tha Zelensky përpara përvjetorit më 24 gusht, i cili gjithashtu shënon gjashtë muaj që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Lajme të ngjashme