Ukraina shënon përparim në lindje, ndal një pjesë të gazit rus - NACIONALE

Ukraina shënon përparim në lindje, ndal një pjesë të gazit rus

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Operatori ukrainas i gazit natyror të mërkurën e ndali qarkullimin e gazit rus në një gazsjellës kyç në lindje të vendit, ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ushtria e vendit të tij ka shënuar fitore të vogla, duke i larguar forcat ruse nga katër fshatra afër qytetit Kharkiv.

Sipas operatorit ukrainas, qarkullimi i gazit rus përmes nyjës në Novopskov, që kontrollohet nga separatistët e përkrahur nga Moska, do të ndalet nga e mërkura. Operatori tha se nëpër këtë nyjë kalon rreth një e treta e gazit rus nëpër Ukrainë për në Evropën Perëndimore.

Ky vendim e shënon herën e parë që qarkullimi i gazit preket nga lufta që filloi në shkurt. Kjo mund ta detyrojë Rusinë që ta ndryshojë rrjedhën e gazit nëpër territorin e kontrolluar nga Ukraina për ta dërguar deri te klientët në Evropë.

Presidenti Zelensky tha se ushtria ukrainase po i largon gradualisht trupat ruse nga qyteti Kharkiv, ndërsa ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba, u shpreh me më shumë vetëbesim, duke lënë të kuptohet se Ukraina mund të arrijë më shumë sesa vetëm dëbimi i ushtrisë ruse në zonat që i ka mbajtur para fillimit të luftës.

Kuleba i tha gazetës “Financial Times” se Ukraina fillimisht besonte që fitore do të ishte tërheqja e trupave ruse në pozitat që i kishin pushtuar para luftës së 24 shkurtit, por përqendrimi është vendosur në pjesën lindore, në Donbas, pasi forcat ruse dështuan që ta pushtonin kryeqytetin Kiev.

“Tani, nëse jemi mjaftueshëm të fuqishëm në frontin ushtarak dhe nëse e fitojmë betejën për Donbas-in, që do të jetë jetike për dinamikat e ardhshme të luftës, natyrisht, fitore për ne në këtë luftë do të jetë çlirimi i pjesës tjetër të territoreve tona”, tha Kuleba.

Deklarata e kryediplomatit ukrainas duket se i pasqyroi ambiciet politike më shumë sesa realitetin në fushëbetejë. Forcat ruse kanë bërë përparim në Donbas dhe kontrollojnë territor më të madh sesa para fillimit të luftës.

Lajme të ngjashme