Ukraina po trajnon tetë brigada me 40 mijë rekrutë të rinj për kundërofensivën e pranverës
Më shumë se një vit pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Aleksi, përkthyes pa përvojë ushtarake, po ecte nëpër mal me pushkë të ngritur lart, duke u ushtruar për t’u dalë në pritë forcave të armikut në njërin prej njësiteve më të reja ushtarake të vendit.
“Kufiri i Çelikut” është njëra nga tetë brigadat me gjithsej 40 mijë ushtarë, të cilat Ukraina dëshiron që t’i përdorë gjatë një kundërofensive ndaj pushtuesve rusë në javët ose muajt e ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.
“Dua që lufta të përfundojë sa më shpejt që është e mundshme dhe shpresoj që brigada e sulmit do ta sjellë këtë shumë më shpejt”- tha Aleksi në një qendër ushtrimesh me vendndodhje sekrete në Ukrainë. Ai refuzoi që ta tregonte mbiemrin për arsye sigurie.
Njësitet kanë përfituar nga një fushatë agresive e rekrutimit në rrjete sociale dhe me afishe me qëllim që të tërhiqen vullnetarë të motivuar fort.
Brigadat e reja, të rekrutuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, do të luftojnë krahas njësiteve të rregullta ushtarake, të cilat janë fuqizuar me tanke të reja nga Perëndimi e mijëra trupa të freskëta, të ushtruara nga ushtritë aleate jashtë Ukrainës.
Brigadat kanë emra tërheqës: Uragani, Spartani, Chervona Kalyna, Kufiri, Tërbimi, Azovi dhe Kara Dag, mal në Krimenë e aneksuar nga Rusia më 2014.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, i tha agjencisë “Reuters” se beson që Ukraina ende ka potencial të konsiderueshëm për mobilizim dhe se në mesin e rekrutëve të tij përfshihen gra, njerëz pa përvojë ushtarake dhe ish-policë e ish-ushtarë.
“Për ta, objektivi është që ta çlirojnë Ukrainën. Ne po e shkruajmë historinë e mrekullueshme të shtetit tonë për shumë dekada të ardhshme”- tha ministri ukrainas.
Ukraina e nisi fushatën e rekrutimit për këto brigada në fillim të shkurtit. Klymenko tha se do të nevojiten deri në katër muaj për t’i ushtruar civilët pa përvojë, por ish-policët dhe ish-ushtarët mund të ushtrohen për dy muaj.
Në një vend të panjohur më 24 mars, luftëtarët e Brigadës “Kufiri i Çelikut” po ushtroheshin për shënjestrim, kontrollim të dronëve dhe për evakuim e shpëtim të ushtarëve të plagosur.
Ministri Klymenko tha se 2,5 për qind e brigadave përbëhen nga gratë. “Gratë tona janë mjaftueshëm patriote, të fuqishme dhe e urrejnë armikun jo më pak se burrat, duan të shërbejnë”- tha ai.
