Ukraina përparon në terren, Rusia do të evakuojë banorë të Khersonit të pushtuar
Në një shenjë që përparimet e vazhdueshme dhe të qëndrueshme ushtarake të Ukrainës përgjatë frontit jugor po e shqetësojnë Kremlinin, Rusia u ka premtuar strehim falas banorëve të rajonit të pushtuar pjesërisht, Kherson, të cilët duan që të zhvendosen në Rusi.
Zëvendëskryeministri i Rusisë, Marat Khusnullin, e bëri këtë njoftim pak kohë pasi udhëheqësi i përkrahur nga rusët i rajonit Kherson, njëri nga katër rajonet ukrainase të aneksuara nga Moska muajin e kaluar, kërkoi nga Kremlini që të organizojë evakuim të banorëve nga katër qytete të këtij rajoni, raporton agjencia “Associated Press”.
“Qytetet e rajonit Kheson – Kherson, Nova Kakhovka, Hola Prystan dhe Chornobaivka – janë subjekt i sulmeve të përditshme me raketa. Këto sulme me raketa shkaktojnë dëm serioz, së pari dhe mbi të gjitha ndaj banorëve. Në mesin e caqeve të goditura nga raketat ka hotele, ndërtesa banimi, dyqane – ku ka shumë civilë”, tha Vladimir Saldo.
Ai shtoi se është marrë një vendim për evakuimin e banorëve të rajonit Kherson për në rajonet ruse, Rostov, Krasnodar dhe Stavropol si dhe në Krime, gadishull i aneksuar nga Rusia më 2014.
“Do të doja që të kërkoj nga ju që të jepni ndihmë për organizimin e këtij procesi. Ne, banorët e rajonit Kherson, natyrisht se e dimë që Rusia nuk i braktis njerëzit e vet dhe Rusia gjithmonë e zgjat dorën”, tha Saldo.
Apeli i tij erdhi në kohën kur forcat ukrainase po e vazhdojnë kundërsulmin e tyre më në thellësi të rajonit jugor, Kherson, ndonëse me intensitet më të ulët.
Ushtria ukrainase ka raportuar përparime të qëndrueshme territoriale përgjatë frontit jugor, përfshirë rimarrjen e 75 vendbanimeve në rajonin Kherson për një muaj, tha të enjten në mbrëmje Ministria për Riintegrimin e Territoreve Përkohësisht të Pushtuara.
Në lindje, forcat e armatosura ukrainase kanë rimarrë nën kontroll 502 vendbanime në rajonin Kharkiv, 43 në rajonin Donetsk dhe shtatë në rajonin Luhansk, sipas kësaj ministrie.
Zëvendësi i Saldo-s, Kirill Stremousov, në deklaratën e tij u mundua që ta minimizonte peshën e njoftimit, duke thënë se “askush nuk është duke u tërhequr... askush nuk po planifikon që ta braktis territorin e rajonit Kherson”.
Të enjten, inteligjenca britanike tha se autoritetet pushtuese ruse, me gjasë, kanë dhënë urdhër për përgatitjen e evakuimit të disa civilëve nga rajoni Kherson.
Të premten në mëngjes, Rusia i vazhdoi sulmet e saj ndaj infrastrukturës kritike në pjesë të ndryshme të Ukrainës, strategji e filluar të hënën, kur një sulm i bashkërenduar masiv në pothuajse secilin rajon të Ukrainës u tha se është duke u kryer si hakmarrje për shpërthimin në urën që e lidh Krimenë me Rusinë./Nacionale

