Ukraina kërkon më shumë armë perëndimore pas frenimit të Rusisë - NACIONALE

Ukraina kërkon më shumë armë perëndimore pas frenimit të Rusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Perëndimit që ta përshpejtojë dërgimin e sistemeve të armëve, kur trupat ukrainase po zhvillojnë kundërsulm për ta përforcuar kontrollin në një pjesë të konsiderueshme të territorit të çliruar nga pushtimi rus.

Që nga braktisja e bastionit kryesor në verilindje të Ukrainës nga forcat ruse të shtunën, duke e shënuar humbjen më të rëndë që nga ditët e hershme të luftës, trupat ukrainase kanë marrë nën kontroll dhjetëra qyteza në atë që po shihet si pikë kthese në fushëbetejë.

Një zyrtar i lartë ushtarak i Shteteve të Bashkuara tha se Rusia ka dorëzuar në masë të madhe territor afër rajonit Kharkiv, në verilindje të Ukrainës, dhe ka tërhequr shumë nga trupat e saj për t’i dërguar matanë kufirit, raporton agjencia “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i kanë dhënë Ukrainës armë me vlerë të miliarda dollarëve. Kievi ka thënë se këto armë e kanë ndihmuar kufizimin e përparimit të pushtuesve rusë. Në një adresim të hënën në mbrëmje, presidenti ukrainas tha se Ukraina dhe Perëndimi “duhet ta fuqizojnë bashkëpunimin për ta mposhtur terrorin rus”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se forcat ukrainase kanë bërë “përparim të konsiderueshëm” me përkrahjen e Perëndimit.

“Ajo që kanë bërë ata është e planifikuar në mënyrë shumë metodike dhe, natyrisht, është shënuar përfitim nga përkrahja e konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete të tjera në aspektin e sigurimit që Ukraina t’i ketë në duar pajisjet për të cilat ka nevojë për ta kryer këtë kundërsulm”, tha kryediplomati amerikan në një konferencë për gazetarë në kryeqytetin meksikan, Mexico City.

Uashingtoni e njoftoi programin më të ri të armëve për Ukrainën javën e kaluar, përfshirë sistemet anti-raketore HIMARS, dhe më parë i ka dhuruar Ukrainës sisteme raketore tokë – ajër NASAMS, me të cilat mund të rrëzohen aeroplanë.

Presidenti ukrainas tha se Ukraina ka marrë nën kontroll rreth 6.000 kilometra katrorë territor, sipërfaqe e krahasueshme me Bregun Perëndimor dhe Gazan së bashku. Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Rusia ka marrë nën kontroll rreth një të pestën e territorit të Ukrainës.

Rusia e heshtur

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarët e tij të lartë kanë qenë kryesisht të heshtur përballë humbjes më të rëndë të forcave ruse nga prilli, kur ato ishin zmbrapsur nga rrethina e kryeqytetit Kiev.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të hënën shmangu një pyetje të një gazetari nëse Putini ka ende besim te udhëheqësia ushtarake.

“Operacioni special ushtarak vazhdon dhe do të vazhdojë derisa të arrihen të gjitha qëllimet e caktuara në fillim”, tha zëdhënësi rus.

Putini u shfaq të hënën në televizionin shtetëror duke udhëhequr një takim për ekonomi, në të cilin tha se Rusia është duke u mbajtur mirë përballë sanksioneve perëndimore./Nacionale

Lajme të ngjashme