Ukraina kërkon fonde për dronë të ujit për t’iu kundërvënë sulmeve ruse
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të premten i dha mbështetje një fushate për grumbullimin e fondeve për të ofruar ndihmë për krijimin e një flote të dronëve të ujit për t’i mbrojtur qytetet ukrainase kundër sulmeve ruse me raketa nga Deti i Zi.
Nisma “United24”, e nisur nga Zelensky për të grumbulluar fonde për Ukrainën pas fillimit të luftës më 24 shkurt, tha se Ukrainës i nevojiten 100 dronë dhe çmimi për një të tillë është rreth 274 mijë dollarë, raporton agjencia “Reuters”.
Që nga fillimi i pushtimit, Rusia ka kryer sulme me raketa nga anijet e saj në Detin e Zi dhe nga gadishulli i aneksuar i Krimesë, të cilin Moska e kishte marrë nën kontroll më 2014 dhe atje ndodhet Flota e Detit të Zi e forcave detare ruse.
“Ne duhet t’i mbrojmë ujërat e deteve tona dhe qytetet tona paqësore nga raketat ruse të hedhura nga anijet. Dronët detarë gjithashtu do të ndihmojnë për ta zhbllokuar korridorin për anijet civile që transportojnë drithëra për botën”, shkroi presidenti ukrainas në rrjetin “Telegram”.
Rusia kishte filluar që t’i bllokonte portet ukrainase në Detin e Zi pak pas fillimit të pushtimit në shkurt, duke i bllokuar eksportet e drithërave.
Tri porte janë zhbllokuar me marrëveshjen e ndërmjetësuar në korrik nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia. Kjo marrëveshje u bë si përpjekje për ta lehtësuar krizën globale të ushqimit.
Rusia e pezulloi pjesëmarrjen e vet në këtë marrëveshje pas atij që e quajti sulm ukrainas ndaj tri anijeve të saj të Flotës së Detit të Zi muajin e kaluar duke përdorur dronë ajrorë e ujorë, por më vonë u kthye në marrëveshje. Afati i këtij pakti do të skadojë javën e ardhshme.
“Jam i sigurt se miliona njerëz do ta përkrahin këtë fushë të rëndësishme të mbrojtjes së Ukrainës. Të gjithë tashmë kanë parë se si funksionon kjo”, tha Zelensky për fushatën për grumbullimin e fondeve.
Ukraina as nuk ka konfirmuar, as nuk ka mohuar se qëndron prapa sulmit me dronë në tetor. Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e nismës “United24” thuhet se ky ishte sulmi i parë i tillë i kryer ekskluzivisht nga mjetet pa pilot.
“Rusia e ka humbur epërsinë dikur të pamohueshme në ujë”, thuhet në deklaratë.

