Ukraina e sheh me skepticizëm planin e BE-së për eksportimin e grurit - NACIONALE

Ukraina e sheh me skepticizëm planin e BE-së për eksportimin e grurit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Masat e shpallura së fundmi të BE-së për të ndihmuar Ukrainën të eksportojë grurë, pavarësisht bllokadës ruse të porteve të saj detare, nuk janë të mjaftueshme pasi ato do të bazohen kryesisht në hekurudhat e vjetruara të vendit, i tha një ligjvënëse ukrainase Parlamentit Evropian.

Një delegacion i deputetëve të Ukrainës u ftua në një seancë dëgjimore të komitetit të bujqësisë të Parlamentit Evropian, kushtuar situatës së sigurisë ushqimore në botë si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.

Momentalisht, 40 milionë tonë drithë të destinuar për në BE janë ngecur në magazina në Ukrainë. Tani për tani janë duke u bërë përpjekje të vazhdueshme për të nxjerrë 20 milionë tonë të këtij drithi nga vendi i shkatërruar nga lufta për t’i eksportuar në bllok përpara fundit të korrikut.

Për këtë arsye, ekzekutivi i BE-së prezantoi javën e kaluar një plan veprimi për të krijuar rrugë alternative logjistike duke përdorur të gjitha mënyrat përkatëse të transportit, të njohura si "rrugë solidariteti".

Veprimet prioritare do të përfshijnë mjete shtesë lëvizëse mallrash, anije dhe kamionë, si dhe prioritizimin e dërgesave të eksportit bujqësor ukrainas në kufi, optimizimin e operacioneve doganore dhe inspektime të tjera, por edhe më shumë kapacitet për ruajtjen e përkohshme të eksporteve ukrainase në territorin e BE-së.

Megjithatë, duke folur para eurodeputetëve, ligjvënësja ukrainase, Larysa Bilozir kritikoi planin pasi edhe pse u konsiderua "shumë mirë i përgatitur", ai nuk do të "ndihmonte në mënyrë thelbësore në rritjen e konsiderueshme të eksporteve […] pa zhbllokuar portet jugore të Ukrainës ose duke ndryshuar rrugën nëpër portet e Baltikut”.

"Rrugët e solidaritetit" të Komisionit bazohen kryesisht në lehtësimin e transportit hekurudhor të drithërave, por portet detare përbënin 90% të eksportit të Ukrainës para luftës.

“Në rastin më të mirë, ne do të eksportojmë jo një, por dy milionë ton drithë në muaj kur na duhen gjashtë milionë tonë”, tha Bilozir, duke shtuar se me këtë ritëm, Ukraina do të eksportojë rreth 47 milionë tonë nga 70 milionë tonët e planifikuar deri në korrik. ndërsa eksportet duhet të dyfishohen në vend.

Pas takimit me ministrat e bujqësisë të Polonisë dhe Ukrainës dhe me sekretarin amerikan të bujqësisë Tom Vilsack, shefi i bujqësisë i BE-së, Janusz Wojciechowski tha se Ukraina duhet të eksportojë pesë milionë tonë drithë në muaj për të shmangur kërcënimet ndaj sigurisë globale të ushqimit.

Përfaqësuesit ukrainas përmendën gjithashtu domosdoshmërinë e hapjes së qendrave të reja dhe pikave doganore, duke theksuar se kufiri prej 400 kilometrash me Rumaninë ka vetëm 5 pika të tilla, ndërkohë që nevojiten më shumë prej tyre.

Në të njëjtën kohë, zëvendëskryeministri i Polonisë dhe ministri i Bujqësisë Henryk Kowalczyk tha se “është e pamundur të transportohen 4-5 milionë tonë drithë në muaj përmes Polonisë, por nëse do të mund të ndihmonim eksportin e 1-2 milionë tonë drithë – kjo tashmë do të ishte një sukses i madh”.

Ndërsa vlerësoi përpjekjet e partnerit evropian, Bilozir e Ukrainës paralajmëroi se vendi i saj ka nevojë për më shumë rrugë, dhe gjithashtu kërkoi lëshime nga kërkesat e tranzitit të BE-së, jo vetëm përmes Rumanisë, por edhe përmes Polonisë, Lituanisë dhe Bullgarisë.

“Duhet ta bëjmë më të shpejtë dhe të dyfishojmë eksportin e produkteve bujqësore sepse sot shpresojmë që mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë të jetë në gjendje të rifillojë eksportet aktive nga Ukraina”, shtoi ajo.

Për shkak të luftës, çmimet e ushqimeve kanë rënë në mënyrë dramatike në tregun e brendshëm ukrainas ndërsa çmimet po rriten në skenën globale, tha Bilozir.

Ajo përmendi një fermë moderne në zonën e saj zgjedhore me 3,000 gjedhe, me pajisje nga Gjermania dhe Izraeli, e cila tani shet mish viçi me një çmim mesatar prej rreth 1 euro për kilogram, kur çmimet janë pesë herë më të larta jashtë vendit.

Lajme të ngjashme