Ukraina e publikon videon kur droni ujor e godet anijen e dytë ruse për dy ditë
Brenda dy ditëve, një anije ushtarake dhe një anije transportuese ruse u goditën nga dronët ujorë. Rusia e ka fajësuar Ukrainën për këto sulme.
Televizioni BBC ka publikuar një video të siguruar nga një burim i shërbimit ukrainas të sigurisë, ku një dron ujor shihet duke lëvizur mbi sipërfaqen e ujit me shpejtësi të konsiderueshme drejt një anije dhe duke u përplasur në të.
Ukraina nuk e ka komentuar publikisht rastin, por një burim ukrainas i sigurisë i tha televizionit BBC se në këtë sulm është përdorur një dron ujor.
Sipas shërbimit ukrainas të sigurisë, SBU, operacioni i së shtunës u krye në bashkëpunim me forcat detare ukrainase dhe se për të janë përdorur 450 kilogram lëndë shpërthyese TNT.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, Tass, citoi një zyrtar të Qendrës për Bashkërendim të Shpëtimit Detar të ketë thënë se dy anije për tërheqje tashmë kishin arritur në vendin e sulmit. “Dhoma e motorit u dëmtua. Jo shumë, por u dëmtua”- tha ky zyrtar.
Të premten, një anije ushtarake ruse pësoi dëm serioz nga një sulm ukrainas me dron ujor afër portit rus në Detin e Zi, Novorossiysk, i thanë televizionit BBC burimet ukrainase të sigurisë.
