Ukraina e krahason Rusinë me ISIS-in pas publikimit të videos me heqje të kokës së ushtarit
Ukraina e krahasoi të mërkurën Rusinë me ISIS-in, pasi në internet u publikua një video ku ushtarët rusë shihen duke i hequr kokën me thikë një ushtari ukrainas.
Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte menjëherë origjinalitetin e videos së shpërndarë në rrjete sociale, ku një burrë në uniformë shihet duke i prerë kokën një burri me shirit të verdhë në krah, që përdoret nga ushtarët ukrainas.
Nuk pati koment të menjëhershëm për këtë video nga Moska, e cila në të kaluarën ka mohuar se trupat e saj kryejnë krime gjatë luftës, raporton agjencia "Reuters".
“Është diçka që askush në botë nuk mund ta shpërfillë: sa lehtë vrasin këto bisha. Do të ketë përgjegjësi ligjore për gjithçka. Mposhtja e terrorit është e nevojshme”- tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, në rrjete sociale shkroi: “Një video e tmerrshme e trupave ruse duke i hequr kokën një të burgosuri ukrainas të luftës është duke qarkulluar në internet. Është absurde që Rusia, e cila është më e keqe se ISIS-i, është duke e udhëhequr Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Terroristët rusë duhet të nxirren nga Ukraina e OKB-ja dhe të mbahen përgjegjës për krimet e tyre.”
Militantët e ISIS-it në Irak dhe Siri dalloheshin për publikimin e videove ku u hiqej koka njerëzve, kur grupi kishte nën kontroll territor të madh në këto dy shtete në periudhën 2014 – 2017.
Agjencia ukrainase për siguri të brendshme tha se ka nisur një hetim për krim të dyshimtë lufte për rastin e videos.
“Dje, një video u shfaq në internet ku shihet se si pushtuesit rusë e shfaqin natyrën prej bishe – duke torturuar në mënyrë mizore një të burgosur ukrainas dhe duke ia prerë kokën”- shkroi agjencia SBU në rrjetin “Telegram”.
