Ukraina arreston një grua se po ndihmonte Rusinë të kryente sulm ndaj Zelenskiyt, thotë shërbimi i sigurimit të këtij vendi - NACIONALE

Ukraina arreston një grua se po ndihmonte Rusinë të kryente sulm ndaj Zelenskiyt, thotë shërbimi i sigurimit të këtij vendi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shërbimi ukrainas i sigurisë ka thënë gjatë ditës së sotme (e hënë, 7 gusht) se e ka arrestuar një informatore që akuzohej se e kishte ndihmuar Rusinë për të kryer një sulm ndaj presidentit Volodymyr Zelenskiy derisa ky i fundit po vizitonte një rajon të goditur nga përmbytjet.

Shërbimi i sigurimit SBU tha që e ka arrestuar një grua që po mblidhte informacione për të zbuluar itinerarin e Zelenskiyt para vizitës së tij në rajonin jugor të Mykolaivit.

Janë publikuar edhe imazhe të turbullta të gruas që po arrestohej nga zyrtarë të maskuar në një kuzhinë, e po ashtu edhe mesazhe telefonike dhe shënime me dorë rreth aktivitetit ushtarak, raporton The Guardian.

Në rrjetin social Telegram, presidenti Zelenskiy ka deklaruar se kreu i SBU-së i kishte dhënë informacionet më të reja rreth asaj që e quajti si “luftë kundër tradhtarëve”.

SBU-ja tha që Ukraina ishte e vetëdijshme për komplotin përpara kohe dhe kishte marrë masa sigurie shtesë për vizitën e Zelenskiyt.

Aty pretendohet se e dyshuara po e ndihmonte Rusinë që të përgatiste një “sulm ajror masiv në rajonin e Mykolaivit.”

Ajo pretendohet se po kërkonte të dhëna mbi lokacionin e sistemeve të luftës eletronike dhe të depove me municione.

SBU-ja shtoi se zyrtarët e saj po vazhdonin mbikëqyrjen e të dyshuarës për të marrë më shumë informacione për urdhërdhënësit e saj rusë dhe për detyrat tjera që kishte.

Zyrtarët e kapën gruan derisa ajo po përpiqen të çonte të dhëna të inteligjencës te shërbimet sekrete ruse, ka thënë SBU-ja.

Detajet e reja tregojnë se gruaja në fjalë jetonte në qytetin e vogël jugor të Ochakivit në rajonin Mykolaiv dhe më herët kishte punuar në një depo në një bazë ushtarake. Ajo dyshohet se ka fotografuar lokacione të ndryshme dhe ka provuar që të marrë informacione nga kontaktet personale në rajon.

Ajo mund të të përballet me akuzat për përhapje të paautorizuar të informacioneve rreth lëvizjeve të armëve dhe trupave. Nëse dënohet mund të kalojë deri në 12 vjet në burg.

Lajme të ngjashme