Udhëheqësit e Gjermanisë e Spanjës e përkrahin publikisht Macron-in në zgjedhje
Vetëm pak ditë para rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, udhëheqësit e qendrës së majtë të Gjermanisë, Spanjës dhe Portugalisë u bënë thirrje votuesve francezë të enjten që ta zgjedhin presidentin e tanishëm, Emmanuel Macron, para kandidates së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen.
Në një kolumne të publikuar të enjten në disa gazeta evropiane, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, dhe Kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, thanë se zgjedhjet e së dielës janë “kritike për Francën dhe për të gjithë ne në Evropë”.
“Është zgjedhja mes një kandidati demokrat, që beson se forca e Francës zgjerohet në një bashkim Evropian të fuqishëm dhe autonom dhe një kandidateje të së djathtës ekstreme, që haptazi e mban anën e atyre që e sulmojnë lirinë dhe demokracinë tonë, vlera të bazuara në idetë franceze të Iluminizmit”, thuhet në shkrim, pa i përmendur kandidatët në emër, raporton "Associated Press".
Tre udhëheqësit gjithashtu thanë se Evropa “është duke u përballur me ndryshim epoke” për shkak të sulmit rus në Ukrainë dhe se populistët dhe e djathta ekstreme po e shohin presidentin rus, Vladimir Putin, “si model ideologjik e politik, duke i kopjuar idetë e tij shoviniste”.
Në fund të shkrimit bëhet apel për mbajtjen e mirëqenies dhe përparimit në Evropë. “Prandaj, ne kemi nevojë që Franca të jetë në anën tonë”, thanë udhëheqësit./Nacionale