Udhëheqësit e BE-së përgatiten për hapa të pashembullt në samit për ta ndihmuar Ukrainën
Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian pritet që të përpiqen për të bërë diçka që nuk e kanë provuar kurrë më parë. Gjasat për dështim janë të konsiderueshme. Veprimet e tyre këtë javë mund të vendosin precedentë të rrezikshëm dhe një lëvizje e gabuar do të mund ta minonte besimin në mesin e 27 vendeve anëtare të bllokut në vitet në vijim.
Në një samit që nis të enjten, shumë prej udhëheqësve do të bëjnë thirrje që miliarda euro asete të ngrira ruse që po mbahen në Evropë të shfrytëzohen për t’ia plotësuar nevojat ekonomike dhe ushtarake Ukrainës për dy vitete e ardhshme, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ukraina është buzë bankrotimit. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se këtij shtet do t’i nevojiten gjithsej 137 miliardë euro më 2026 e 2027. Paratë duhet t’i ketë në pranverë. Bashkimi Evropian është zotuar se do t’i gjejë fondet, në një mënyrë ose në një tjetër.
“Një gjë është shumë, shumë e qartë. Ne duhet ta marrin vendimin për ta financuar Ukrainën për dy vitet e ardhshme në këtë [përbërje të] Këshillit Evropian” – tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili do ta drejtojë samitin, është zotuar se do t’i mbajë udhëheqësit në bisedime derisa të arrihet një marrëveshje, edhe nëse një gjë e tillë do të zgjatë me ditë.
Komisioni Evropian ka propozuar që udhëheqësit të përdorin një pjesë të aseteve të ngrira – që kanë vlerë të përgjithshme prej 210 miliardë eurosh – për të mbështetur një “hua dëmshpërblimesh” për Ukrainën. Pjesa tjetër do të mbulohej nga Britania, Kanadaja dhe Norvegjia.
Plani ka shkaktuar përçarje. Komisioni Evropian këmbëngul se plani është i arsyeshëm dhe baza ligjore është e fortë. Megjithatë, Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar se besimi ndërkombëtar në valutën euro do të mund të dëmtohej, nëse udhëheqësit dyshohet për konfiskimin e aseteve.
Shumica e aseteve të ngrira ruse i takojnë Bankës Qendrore të Rusisë dhe mbahen në Bruksel. Belgjika ka frikë nga hakmarrja ruse përmes gjykatave ose në mënyra të tjera./Nacionale