Udhëheqësi në ekzil, Meshaal: Hamasi do të ngrihet si feniksi
Udhëheqësi i Hamasit në ekzil, Khaled Meshaal, tha se grupi palestinez do të ngrihet “si një feniks” nga hiri i vet, pavarësisht nga humbjet e rënda gjatë një viti luftë me Izraelin, dhe se Hamasi vazhdon që të rekrutojë luftëtarë e të prodhojë armë.
Një vit pas sulmit të Hamasit që e nxiti luftën në Gaza, Meshaal e paraqiti konfliktin me Izraelin si pjesë të një narrative që shtrihet 76 vjet në kohë, nga periudha që palestinezët e quajnë “Nakba” ose “katastrofa”, kur shumë prej tyre ishin shpërngulur gjatë luftës së vitit 1948, që e kishte shoqëruar themelimin e Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
“Historia palestineze përbëhet nga ciklet. Ne kalojmë nëpër faza ku humbim martirë dhe humbim pjesë të kapaciteteve tona ushtarake, por pastaj shpirti palestinez ngrihet përsëri, si feniksi, faleminderit Zotit” – tha në një intervistë me agjencinë “Reuters” 68-vjeçari Meshaal, figurë e lartë e Hamasit nën udhëheqësin e përgjithshëm, Yahya Sinwar.
Ai i kishte mbijetuar një vrasjeje në tentativë nga Izraeli më 1997, kur i ishte injektuar helm dhe ishte udhëheqës i përgjithshëm i Hamasit në periudhën 1996 – 2017. Sipas tij, grupi palestinez ende është në gjendje që të bëjë prita kundër trupave izraelite.
Hamasi gjithashtu hodhi katër raketa të hënën në mëngjes, në përvjetorin e sulmit të grupit në jug të Izraelit, që e nxiti më pas luftën në Gaza. Të gjitha u rrëzuan.
“Ne humbëm pjesë të municionit dhe armëve tona, por Hamasi ende është duke rekrutuar burra të rinj dhe vazhdon që të prodhojë një pjesë të konsiderueshme të municionit dhe armëve të veta” – tha Meshaal-i, pa dhënë hollësi.
Ai mbetet figurë me ndikim në Hamas, sepse ka luajtur rol jetik në udhëheqësinë e grupit për gati tri dekada si dhe tani shihet gjerësisht si fytyra diplomatike e Hamasit. Komentet e tij duket se e kanë për qëllim dhënien e një sinjali që grupi do të luftojë pavarësisht nga humbjet që do t’i pësojë, thanë analistë të Lindjes së Mesme.
"Në përgjithësi, do të thosha që [Hamasi është] gjallë dhe ende duke shkelmuar dhe... ndoshta do të rikthehet në një pikë të caktuar kohore në Gaza" – tha Joost R. Hiltermann, drejtor i Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Sipas tij, Izraeli nuk ka paraqitur një plan për Gazën pas përfundimit të luftës dhe kjo do të mund ta lejonte Hamasin që ta rindërtojë veten, edhe pse ndoshta jo me fuqinë ose formën e njëjtë.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, refuzoi që t’i komentonte deklaratat e Meshaal-it.
Meshaal-i tha se nuk sheh perspektivë për paqe me Qeverinë e Netanyahut në pushtet në Izrael. “Për aq gjatë sa ekziston pushtimi [izraelit], rajoni mbetet bombë e kurdisur” – tha ai./Nacionale