Udhëheqësi i Hezbollahut bën thirrje që myslimanët t’i ndëshkojnë përdhosësit e Kuranit - NACIONALE

Udhëheqësi i Hezbollahut bën thirrje që myslimanët t’i ndëshkojnë përdhosësit e Kuranit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i grupit militant shiit në Liban, “Hezbollah”, tha të shtunën se nëse qeveritë e shteteve me shumicë myslimane nuk veprojnë kundër vendeve që e lejojnë përdhosjen e Kuranit, myslimanët duhet t’i ndëshkojnë ata që i lehtësojnë sulmet ndaj librit të shenjtë të Islamit.

Komentet e Hasan Nasrallahut u dhanë në një video-adresim për dhjetëra mijëra njerëz të grumbulluar në periferinë jugore të Beirutit për ta shënuar Ditën e Ashures, e cila lidhet me martirizimin e nipit të profetit Muhamed, Huseinit.

Nasrallahu shpesh i përdor organizimet fetare për t’u dhënë porosi politike përkrahësve dhe të shtunën i kritikoi incidentet e djegies së Kuranit gjatë protestave me leje në Suedi e Danimarkë, raporton agjencia “Associated Press”.

Ai tha se myslimanët duhet ta përcjellin rezultatin e një takimi urgjent të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, që pritet të mbahet në Bagdad të hënën për ta diskutuar reagimin e saj rreth djegies së Kuranit.

Sipas Nasrallahut, kjo organizatë dhe shtetet që janë anëtare të saj duhet t’u dërgojnë një porosi të fortë, vendimtare dhe pa mëdyshje qeverive se përsëritja e sulmeve (ndaj Kuranit) do ta marrë si kundërpërgjigje bojkotimin. Nëse këto shtete nuk veprojnë, udhëheqësi i grupit “Hezbollah” tha se të rinjtë myslimanë duhet t’i ndëshkojnë përdhosësit.

Ai nuk përmendi hollësi se çfarë do të përfshinin bojkotimi dhe ndëshkimi.

Në mesin e turmës, ku kishte slogane fetare e flamuj të grupit, të Libanit e të Palestinës, njerëzit brohoritën “O Kuran, jemi në shërbimin tënd. O Hussein, jemi në shërbimin tënd.”

Lajme të ngjashme