Suedia jep prapë leje për tubim ku pritet të digjet Kurani, sulmohet ambasada suedeze në Irak - NACIONALE

Suedia jep prapë leje për tubim ku pritet të digjet Kurani, sulmohet ambasada suedeze në Irak

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qindra protestues e sulmuan ambasadën suedeze në Bagdad të Irakut të enjten herët në mëngjes, duke u ngjitur murit të saj e duke ia vënë flakën si protestë kundër një tubimi ku pritet që përsëri të digjet Kurani në Suedi.

Zyra për shtyp e Ministrisë së Jashtme të Suedisë tha se i tërë stafi i ambasadës në Bagdad ishte i sigurt dhe e dënoi sulmin, duke e theksuar nevojën që autoritetet irakiane t’i mbrojnë misionet diplomatike. Kjo ministri nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të dhënë hollësi të tjera, raporton agjencia “Reuters”.

Protesta e së enjtes u thirr nga përkrahësit e klerikut shiit, Muqtada Sadr, për ta kundërshtuar djegien e dytë të planifikuar të Kuranit në Suedi brenda disa javëve, sipas shkrimeve në një grup të popullarizuar në rrjetin “Telegram”, i lidhur me klerikun me ndikim, dhe sipas mediave të tjera pro Sadrit.

Sadr, njëri nga figurat më të fuqishme në Irak, udhëheq qindra mijëra përkrahës, të cilët kohë pas kohe i ka ftuar për të dalë rrugëve, përfshirë verën e kaluar, kur ata e bllokuan Zonën e Gjelbër të Bagdadit e u përfshinë në përleshje vdekjeprurëse.

Të mërkurën, policia dha leje për mbajtjen e një tubimi pranë ambasadës irakiane në Stokholm të enjten. Policia tha në dokument se dy persona pritet që të marrin pjesë në këtë organizim.

Agjencia suedeze e lajmeve, TT, raportoi se këta dy persona kanë planifikuar që t’i djegin Kuranin dhe flamurin irakian në takimin publik dhe se në tubim do të jetë edhe burri që e dogji Kuranin pranë një xhamie në Stokholm muajin e kaluar.

Policia suedeze refuzoi disa kërkesa më herët këtë vit për protesta ku përfshihej edhe djegia e Kuranit, duke i përmendur shqetësimet për sigurinë. Megjithatë, gjykatat i kanë rrëzuar vendimet e policisë, duke thënë se akte të tilla janë të mbrojtura nga ligjet e gjera për lirinë e të shprehurit në Suedi.

Lajme të ngjashme