Udhëheqësi i AfD-së ekstreme të Gjermanisë do të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit - NACIONALE

Udhëheqësi i AfD-së ekstreme të Gjermanisë do të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tino Chrupalla, bashkëkryetar i partisë gjermane të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, të hënën e javës së ardhshme, vetëm një muaj para zgjedhjeve federale në Gjermani, njoftoi të enjten AfD-ja.

Ftesa për Chrupalla-n vjen pas mbështetjes që i erdhi AfD-së nga aleati i Trumpit, miliarderi Elon Musk, dhe pas një diskutimi mes Muskut dhe bashkëkryetares së Alternativës për Gjermaninë, Alice Weidel, në platformën X, e cila ka shkaktuar shqetësime rreth ambicies së miliarderit amerikan për të ndikuar në politikën evropiane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shumica e sondazheve e vënë AfD-në kundër emigrantëve në vendin e dytë, prapa konservatorëve, para zgjedhjeve të 23 shkurtit në ekonominë më të madhe të Evropës. Sidoqoftë, partitë tradicionale janë zotuar se nuk do të bashkëpunojnë me Alternativën për Gjermaninë, e cila është duke u vëzhguar nga shërbimet e sigurisë nën dyshimin se është ekstreme e djathtë.

“Pjesëmarrja në inaugurimin e presidentit Donald Trump tregon edhe një herë se ne jemi duke i zbatuar politikat tona të udhëhequra nga interesat” – tha në një deklaratë Chrupalla.

“Ne qëndrojmë të gatshëm si alternativë për të qenë partnere e fuqishme rreth kontinentit të Evropës. Gjermania duhet të mbajë marrëdhënie të mira dhe paqësore me të gjitha shtetet” – shtoi ai.

Trumpi ka ftuar disa udhëheqës të huaj në ceremoninë e betimit të tij si president. Historikisht, udhëheqësit e huaj nuk kanë marrë pjesë në inaugurimet e presidentëve amerikanë shkaku i shqetësimeve për sigurinë dhe, në vend të tyre, kanë dërguar diplomatë.

Qeveria e Gjermanisë në inaugurimin e Trumpit do të përfaqësohet nga ambasadori gjerman në Uashington, Andreas Michaelis./Nacionale

Lajme të ngjashme