Tymi nga zjarret e Kanadasë parashikohet të arrijë në Norvegji
Zyrtarët norvegjezë thanë se tymi nga zjarret në natyrë në Kanada, që ka mbuluar disa pjesë të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, pritet që të enjten të arrijë deri në Evropë, më saktësisht në Norvegji.
Shkencëtarët e atmosferës dhe të klimës në Institutin për Hulumtime Mjedisore dhe të Klimës në Norvegji përdorën një model parashikimesh për të parashikuar se si tymi do të lëvizte nëpër atmosferë, raporton agjencia “Associated Press”.
Tymi tashmë ka lëvizur mbi Grenlandë dhe Islandë nga 1 qershori dhe përmes vëzhgimeve në pjesën jugore të Norvegjisë janë regjistruar përqendrime të rritura të mikro-grimcave aerosole, sipas institutit të pavarur hulumtues.
“Ka mundësi që do të mund të shohim ca mjegull ose ta nuhasim tymin. Megjithatë, nuk besojmë se ai numër i grimcave në ajër këtu në Norvegji do të jetë mjaftueshëm I lartë për të qenë i dëmshëm ndaj shëndetit tonë”- tha Nikolaos Evangeliou, hulumtues i këtij instituti.
Në bregdetin lindor të Shteteve të Bashkuara ka nivel të rrezikshëm të ndotjes së ajrit nga zjarret në natyrë në Kanada. Tymi ka arritur edhe në pjesën qendrore të ShBA-së. Miliona njerëz janë prekur nga kjo katastrofë, fluturimet po pakësohen dhe njerëzit po përdorin maska.
Autoritetet kanadeze kanë kërkuar ndihmë për të luftuar më shumë se 400 zjarre në mbarë vendin.
